“Hakmarrja për Drejtësi”, lirohet Gëzim Gjoni
TIRANE - Gëzim Gjoni, anëtari i “Hakmarrjes për Drejtësi”, ka lënë dje qelitë e burgut pasi shleu dënimin me 5 vite burg të dhënë nga drejtësia nën akuzat “pjesëmarrje në grabitje të armatosur” dhe “bashkëpunim në rrëmbim personi”. Vepra penale këto të kryera para vitit 1997 në kuadër të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Vendimi për lirimin e tij nga burgu është marrë nga gjykata pas vlerësimit të kohës së dënimit, e cila ka përfunduar ditën e djeshme. Gjoni u arrestua pak ditë më parë nga policia e Tiranës. Kjo e fundit bëri një deklaratë shtypi në të cilën pohoi se arrestimi i të akuzuarit si anëtar i Hakmarrjes, ishte bërë pas një aksioni të oficerëve të rendit. Ndërkohë po atë ditë, kur Gëzim Gjoni u arrestua nga policia, të afërm të tij pohuan për median se aksioni i policisë nuk ishte i vërtetë pasi nuk ishte i nevojshëm. Familjarët e Gëzim Gjonit, të cilët u paraqitën atë ditë në polici, thanë se i kërkuari ishte paraqitur vetë në polici, pasi kishte qenë në vendin e tij të punës gjatë gjithë ditës. Gjatë seancave gjyqësore në vitin 2008, Gëzim Gjoni i ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria në adresë të tij. Sipas deklarimeve të tij në gjykatë, në vitin 2008, provat e akuzave janë manipuluar. Prokuroria e ka akuzuar Gjonin si anëtar të Hakmarrjes për Drejtësi dhe pjesëmarrës në disa prej krimeve që i janë faturuar këtyre personave. Në përfundim të gjykimit, Prokuroria kërkoi në total dhe 143 vjet burg për të pandehurit e akuzuar si anëtarë të Hakmarrjes, e cila është vënë nën akuzë për 17 krime të rënda të ndodhura në Tiranë e Vlorë gjatë viteve 1993-1997. Më 30 shtator, Policia e Tiranës deklaroi se Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorisë e Policisë Qarkut Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, të datës 01 Korrik 2008, në ngarkim të shtetasit Gëzim Sali Gjoni, 44 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Sipas policisë, ky shtetas akuzohet, si një nga anëtarët e Organizatës Kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” dhe konkretisht i akuzuar për veprat penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese” në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale. Policia citonte më tej në deklaratën e saj, se “i kërkuari është deklaruar fajtor, me vendimin Nr.44 të datës 01 korrik 2008, duke u akuzuar për rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në rrethana lehtësuese, në dëm të një të mituri”. Më tej në deklaratë thuhet se ky shtetas akuzohet për vjedhje me armë e realizuar në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale, në dëm të një shtetasi, të cilët i kanë vjedhur me dhunë shumën e parave prej 12 milionë lekësh.