Kthehen në Angli e Itali, 3 makina të vjedhura
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme ktheu dje në Itali dhe në Angli, tri automjete luksoze të vjedhura jashtë vendit. Sipas burimeve zyrtare, automjetet luksoze BMW X5, BMW X3 dhe një Audo Q7, ishin vjedhur jashtë vendit nga shtetas shqiptarë. Pas grabitjes jashtë vendit, automjetet janë sjellë në Shqipëri ku mbaheshin në përdorim nga persona të ndryshëm. Policia gjatë kontrolleve të saj i ka zbuluar automjetet, duke vendosur sekuestrimin e tyre. Pas kryerjes së procedurave hetimore është bërë më pas identifikimi i pronarëve, për dy mjetet në Angli dhe për automjetin e tretë në Itali. Menjëherë pas kësaj, prokuroria shqiptare ka hyrë në kontakt me palën britanike dhe italiane duke realizuar më pas kthimin e automjeteve. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, tri mjetet: BMW X5, BMW X3 dhe Audi Q7, janë bllokuar në rrethet Vlorë, Fier dhe Kukës.