E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hakmarrje ekonomike për faturat e KESH, letër kërcënuese qiraxhinjve të MAPE-S

27/05/2005  Në letër thuheshin fjalët më të këqija për të zonjën e shtëpisë, faturisten e energjisë

Kanë dashur të hakmerren për faturat e larta të energjisë elektrike, fusin letër kërcënuese poshtë derës së qiraxhinjve të faturistes së KESH-it, të cilët ishin oficerë të MAPE-s. Pas gjetjes së letrës, ata ia kanë treguar të zonjës së shtëpisë, e cila nuk ka ngurruar që ta dorëzojë në prokurori dhe të kërkojë gjetjen e autorëve. Por pas shtatë vitesh, autorët e letrës, jo vetëm që nuk janë gjetur, por çështja në fjalë është pushuar për shkak të përfundimit të afateve të hetimit. Bëhet fjalë për një denoncim të vitit 1998, që është pushuar disa ditë më parë, ku objekt ka qenë një letër kërcënuese për t’u hakmarrë ekonomikisht për faturat e larta të energjisë elektrike. Personat që e kanë vendosur letrën poshtë derës së apartamentit që kishin marrë me qera disa oficerë të MAPE-s, kanë dashur t’i largojnë këta të fundit prej aty, me qëllim që faturistes së KESH-it t’i mungonin paratë që merrte nga amerikanët.

Letra

Në letrën që oficerët e MAPE-s gjetën poshtë derës, thuhej se ata duhet të largoheshin prej shtëpisë së faturistes së KESH-it, Fatbardha Bajrami. Autorët e letrës i kishin siguruar oficerët amerikanë se nuk kishin asgjë me ta dhe se i respektonin. Por aty, ata kishin shkruar të gjitha të zezat për pronaren e shtëpisë, Fatbardha Bajramin, e cila ishte edhe faturistja e KESH-it për lagjen e saj. Madje, ata i kishin lënë edhe një mesazh faturistes në fund të letrës, duke i thënë se do të hakmerreshin për faturat e larta që ajo vendoste për energjinë elektrike, që arrinte shifrën e 95-100 mijë lekëve të vjetra në muaj. Ata i kishin shkruar në letër faturistes se do të hakmerreshin ekonomikisht me të, ashtu si i dëmtonte ajo me faturat e larta. Menjëherë pas gjetjes së letrës, oficerët e MAPE-s, kishin lajmëruar të zonjën e shtëpisë, Bajramin, e cila është drejtuar në Prokurori.

Denoncimi

Ka qenë fillimi i vitit 1998, kur Fatbardha Bajrami, me detyrë si faturiste e KESH-it, me letrën që u gjet në shtëpinë e saj, ka bërë kallëzim penal për gjetjen e autorëve. Sipas burimeve të Prokurorisë, ndonëse fillimisht kishte pasur dyshime se autorët e letrës ishin banorë të lagjes, asnjëherë ata nuk u identifikuan. Dhe për këtë shkak, pas shtatë vitesh, ajo është pushuar për mungesë autorësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›