"Tajsoni" i Alliasit i kafshon veshin një të riu
27/05/2005 TIRANË- I kafshon veshin banorit të lagjes, pas grindjes për kushërirën. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës të dy ditëve më parë, në lagjen e Alliasit në kryeqytet, kur 25-vjeçari Leonard Biba, teksa grindej me fjalë me Edi Delvinën, i kafshon veshin këtij të fundit e më pas largohet nga vendngjarja. Personat që ndodheshin në atë moment të pranishëm e kanë ndihmuar të lënduarin, duke e dërguar në qendrën më të afërt spitalore për t u kuruar. Mjekët, pasi i qepën copën e kafshuar të veshit, i dhanë Delvinës disa medikamente të cilat shërbejnë për ripërtëritjen e lëkurës së copëtuar. Mësohet se gjendja shëndetësore e tij është përmirësuar. Ndërkaq, nga ana tjetër uniformat blu të komisariatit numër 4 shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nisën kërkimet për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje. Biba u arrestua pas disa orësh kërkimesh, në lagjen e tij. Akuza që rëndon mbi të është ajo e plagosjes, e parashikuar nga neni 87 i Kodit Penal. Tashmë ai ndodhet në qelitë e parëburgimit të këtij komisariati. Pas marrjes në pyetje të dy protagonistëve, rezultoi se sherri kishte ndodhur për motive të dobëta dhe sipas policisë, i lënduari i kishte ngacmuar kushërirën autorit të ngjarjes.