Kanosen e fyhen dy policë të Tiranës
27/05/2005 TIRANË- Kundërshtohen me dhunë dy punonjës të Policisë së Tiranës, gjatë kryerjes së detyrës. Burimet zyrtare të policisë së kryqytetit thanë dje se orët e fundit janë vënë nën pranga dy personat që kanë shfaqur dhunë kundrejt efektivë të policisë. Sipas këtyre burimeve mësohet se efektivët e komisariatit numër 3 kanë arrestuar Tansel Korçën, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i cili ka shfaqur dhunë ndaj uniformave blu. Mësohet se Korça ka demostruar dhunën në ambientet e brendshme të këtij komisariati, teksa ishte i shoqëruar për një ngjarje. Atij iu vunë prangat dhe iu komunikua akuza, e parashikuar nga neni 239, 235 i Kodit Penal. Ndërsa rasti tjetër bën fjalë për një 27-vjeçar nga Tirana, i cili quhet Artur Mici. Ky i fundit po kontrollohej nga efektivët e komisariatit numër 4, në rrugën "5 maji". Pas shkëmbimit të fjalëve me njëri-tjetrin, Mici dhe efektivi i policisë janë konfrontuar, ndërsa më pas polici u kanos dhe u fye. Grupi i Gatshëm e shoqëroi menjëherë në komisariatin numër 4 dhe iu vunë prangat për "kundërshtim të efektivëve të policisë në kryrjen e detyrës". Vetëm gjatë këtij viti numërohet të paktën 10 policë të kanosur nga persona të ndyshëm.