"Hakmerret" OSSH, lë pa drita Entin Rregullator të Energjisë
Pak çaste pas miratimit të tarifave të reja, Entit Rregullator të Energjisë i është ndërprerë energjia elektrike. Stakimi ndodhi rreth orës 16:00, rreth një orë pas vendimit për të mos miratuar kërkesën e OSSH-së për rritje të tarifave me 23 për qind, por me 13 për qind. Lajmi u konfirmua rastësisht nga "Shqip" në tentativë për të komunikuar me drejtuesit e ERE-s, të cilët e kishin të pamundur transmetimin e të dhënave për shkak të mungesës së linjave. Burime të gazetës thonë se reagimi i drejtuesve të OSSH-së pas rrëzimit të kërkesës ishte tepër i madh. CEZ nuk e priste këtë nivel çmimesh, që sipas saj nuk mjaftojnë për të rritur të ardhurat dhe madje ndikon edhe në planin e investimeve. Entit Rregullator iu deshën më shumë se dy muaj kohë për të marrë një vendim sa më të duhur. Gjatë kësaj periudhe raportet mes dy institucioneve, Entit dhe OSSH kanë kaluar në situata të vështira dhe tensioni.