E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi, plan gjigant për ndryshimin e vendit

Franca ka një plan të ri për të rinovuar gjithçka të vjetër. Ajo pritet që të marrë hua miliona euro vitin e ardhshëm për t‘i investuar në një numër të konsiderueshëm projektesh, duke filluar nga bateritë e avancuara të makinave elektrike e deri te modernizimi i kampuseve universitare. Me këtë ndryshim të madh, Parisi zyrtar ka shpresën që të nxisë konkurrencën në ekonominë vendase, si dhe t‘i japë një prosperitet më të qëndrueshëm dhe afatgjatë vendit. Presidenti francez, Sarkozi, deklaroi të martën se e gjithë shuma e madhe e parave, prej 35 miliardë eurosh, do të kanalizohet në projekte kërkimore e zhvillimi dhe nuk do të shkojë për shpenzime urgjente. "Ky është një tjetër plan stimulues. Kredia nuk do t‘i financojë shpenzimet e përditshme, por vetëm investimet që do ta bëjnë vendin tonë më të pasur dhe më të begatë", ka deklaruar Sarkozi. Franca shquhet për një shifër jashtëzakonisht të lartë shpenzimesh publike ose rreth 52% të prodhimit kombëtar bruto, që është më e larta në shumë vende të zhvilluara. Kryesisht bëhet fjalë për pagat e nëpunësve civilë dhe interesat e borxhit. Si pasojë mbetet një sasi shumë e vogël parash për financimin e projekteve të shkallës së gjerë, të tilla si ndërtimi i trenave të shpejtësisë së madhe apo reaktorëve të energjisë bërthamore, të cilat në të shkuarën kanë qenë nën varësinë e financimeve qeveritare, por së fundi u janë dhënë kompanive private.
Qeveria do të kanalizojë 11 miliardë euro për arsimin e lartë, pjesërisht për të rinovuar kampuset universitare të
vjetruara dhe të dala jashtë përdorimit. Rreth 8 miliardë euro do t‘u shkojnë laboratorëve kërkimoro-shkencorë dhe projekteve për gjetjen e kurave për sëmundje të ndryshme. Ndërsa 6.5 miliardë janë të destinuara për të financuar projekte të ndryshme industriale, përfshi anijet, makinat dhe avionët që kursejnë karburant dhe ruajnë ambientin. Presidenti francez tha se qeveria do të merrte 22 miliardë nga tregjet financiare, ndërsa pjesa e mbetur prej 13 miliardë eurosh do të vinte nga ndihma publike dhe nga bankat e vendit. Qeveria do të inkurajojë edhe investitorët privatë për të marrë pjesë në investimet publike. Sarkozi tha se në përfundim priste që investimi të kapte shifrën prej 60 miliardë eurosh, sigurisht nëse sektori privat do të ofronte 25 miliardë nga ana e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›