E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili: “Ministri na premtoi stadiumin”

TIRANË – Njëri nga katër donatorët e Tiranës, Refik Halili, shpreson që ëndrra e madhe e tyre, dhënia me koncesion e stadiumit "Selman Stërmasi" të bëhet realitet sa më shpejt. "Ministri Pango (i MTKRS-së), na premtoi për koncesionin, - tha Halili duke folur për gazetën, - shpresojmë që kjo të bëhet realitet". Një nga synimet e mëdha të katërshes, së përbërë nga Halili, Ngjela, Papuli e Nuri, është pikërisht shfrytëzimi i stadiumit të dytë më të madh kryeqytetas, me qëllim nxjerrjen e përfitimeve financiare nga kjo, por edhe fuqizimin e klubit.
"Kemi kohë që investojmë tek Tirana, - thotë Halili, - dhe jemi të bindur se mund të bëjmë mrekullira, nëse do të kemi mbështetje. Unë kam investuar në stadiumin "Selman Stërmasi". Ky investim ka bërë që tribunat karshi të jenë më të pranueshme për rregullat e UEFA-s dhe më të përshtatshme që tifozët të ndjekin një ndeshje futbolli". I kujtojmë se ka "thashetheme" sikur kompania e tij, "Halili" ka shpenzuar në rikonstruktimin e kompleksit "Skënder Halili" më shumë para sesa ishin akorduar nga Bashkia. "Kjo është një temë tjetër", - pret shkurt donatori.
Ai është donatori më mediatik i bardhebluve, një nga personazhet më të artikuluar për zemërgjerësinë ndaj lojtarëve për dhënie parash edhe jashtë atyre të parashikuara në kontratë. Sidoqoftë, Refik Halili i njohur me emrin "Ridi" thekson se të katër donatorët e sotëm të Tiranës I bashkon një cilësi: Qenia korrektë me shtetin shqiptar.
"(Kryetari i Bashkisë së Tiranës) Edi Rama na prezantoi tek klubi i Tiranës duke premtuar se do t'i besonte sponsorizimin e klubit pikërisht kompanive që paguajnë rregullisht taksat, - kujton ai, ngjarjet e vitit 2004, - dhe ndodhi pikërisht kështu, sepse ne jemi firma korrekte në detyrimet ndaj shtetit".
Burime pranë donatorëve kanë bërë me dije se projekti i modernizimit të stadiumit është gati prej kohësh dhe se shpenzimet për ta rindërtuar nga e para do të shkonin në miliona e miliona euro, porse rrjeti i dyqaneve që do të shfrytëzoheshin apo të jepeshin me qira do ta justifikonte këtë investim.
Bledar Kuka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›