E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi: “Puna ime është të shënoj gola”

Koblenz (Gjermani) - "Dua të shënoj sa më shumë gola, sa më shumë të jetë e mundur". Kështu shprehet blerja e re e Tus Koblenz, Njazi Kuqi, i cili nënshkroi para dy javësh me skuadrën gjermane, duke qenë pas Gabriel Fernandezit, blerja e dytë e merkatos dimërore. Me lartësinë e tij gjigante (1.92 metra), 24-vjecari shqiptar me pasaportë finlandeze konsiderohet si një nga shpresat e mëdha të sulmit të Tus Koblenz, ku luajnë edhe tri shqiptarë të tjerë: Fatmir Vata, Ardian Gjokaj dhe Artim Pollozhani. Faqja zyrtare e Tus Koblenz publikoi edhe një intervistë të gjatë të lojtarit të Kombëtares finlandeze, pas dy ndeshjeve miqësore të zhvilluara nga Kuqi kundër Bonner SC dhe SV Wehen Wiesbaden, në të cilat Njaziu ende nuk ka realizuar golin e parë me fanellën bluzezë.
RAPOLDER - "Unë ndihem shumë mirë në Koblenz. Qysh nga momenti i parë e dëshirova ekipin. Skuadra më ka pritur në mënyrë të shkëlqyer", - thotë Kuqi. "Për mua është vecanërisht shumë bukur të angazhohem. Besimin që ekipi më ka dhënë, dëshiroj t'ia shpërblej me sa më shumë gola në ndeshjet e kthimit", - shton ish-lojtari i Birmingam Sitit në Angli. Kuqi ka luajtur me disa skuadra në ishullin britanik: Blekpull, Peterborough United, por edhe te holandezët e FC Groningen. "Si erdhi transferimi te TUS? Përpara se të vija te TUS, mora informacione nga miku im Mikael Forsel, rreth skuadrës së TUS Koblenz. Unë kam luajtur me të te Birmingami dhe në ekipin Kombëtar të Finlandës. Mikael luajti për disa vite edhe për Borusian e Mënshengladbahut në Bundesligë dhe më tha se Uve Rapolder është një trajner perfekt. Kjo e bëri edhe vendimin tim jo të vështirë", - thekson Njaziu.
KOBLENZER - "Tani ndihem si një koblenzer i vërtetë". Kuqi nënshkroi një kontratë deri në vitin 2009 me Tus Koblenz. "Përshtypja e parë për ekipin e ri? Skuadra, trajneri dhe gjithë ambienti janë perfekt. Përsa i përket trajnimit këtu është ndoshta më i miri që unë kam përjetuar deri tani në karrierën time. Ndryshimi i trajnimit me Premier Ligën (angleze) është si dita me natën. Është thjesht super këtu në Koblenz".
OBJEKTIVI - Kuqi flet edhe për objektivat e tij. "Qëllimi im është i qartë: unë dëshiroj të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur. Kjo është puna ime, dhe për këtë më ka blerë TUS. Nëse unë do të shënoj, atëherë do të jem i lumtur. Nëse do të luaj mirë, por nuk do të shënoj, atëherë nuk do të jem i lumtur. Si sulmues unë dëshiroj të shënoj gjithmonë gola. Unë kam vetëm gola në kokën time. Sa gola dua të shënoj? E kam në mendje, por nuk dua ta tregoj. Thjesht e kam numrin në kokën time".
VATA -Te Tus luajnë edhe lojtarë të tjerë shqiptarë. "Natyrisht që njoh Fatmir Vatën, pasi unë kam lindur në Kosovë. Cdo njeri në Shqipëri e njeh Fatmirin. Unë e kisha parë atë vetëm në televizion dhe e takova për herë të parë në Koblenz. Ai është një ndihmë e madhe për mua, më ka ndihmuar të gjej një apartament ku jetoj. Edhe Ardian Gjokaj është i njohur për mua qysh më përpara. Ndihem shumë në këtë ekip, mbizotëron një atmosferë e mirë", - thotë Kuqi. Njaziu mban numrin 15 në fanellë. "Në të vërtetë, më pëlqen më shumë numri 9, pasi jam një mesfushor sulmues. Por atë e mban Pollozhani (shqiptari nga Maqedonia). Tani duhet ta provoj se sa do të më ecë me numrin 15".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›