Papandreu merr për vete edhe Ministrinë e Jashtme
Kryeministri i ri grek, Jorgo Papandreu ka bërë dje betimin si kreu i qeverisë së re dhe shpalli listën e ministrave, të mbajtur sekret deri në minutën e fundit edhe nga zyrtarë të partisë së tij. Në përpjekje për një plan efikas për luftimin e krizës, Papandreu ka ndarë Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare dhe të Financave në dy, që sinjalizon se lufta kundër krizës ishte prioriteti kryesor i qeverisë. Vetë Papandreu, përveç postit si kryeministër, ka marrë edhe portofolin e Ministrit të Jashtëm, një post që ai ka mbajtur më parë. Analistët presin pak ndryshim në politikën e jashtme, pasi ai mbështet hyrjen e Turqisë në BE, por me kusht që ajo të ndihmojë në bisedimet e paqes për të ribashkuar ishullin e ndarë të Qipros. Partia PASOK e Papandreut fitoi zgjedhjet e parakohshme të së dielës së kaluar me një shumicë absolute, duke fituar 160 vende nga 300 në Parlament, gjë që ia bën më të lehtë qeverisë së re miratimin dhe zbatimin e paketës prej një 3 miliardë eurosh për të simuluar zhvillimin e ekonomisë. Tani qeverisë së re të Papandreut do t’i duhet të bindë tregjet se mund ta bëjë këtë pa përkeqësimin e situatës ekonomike, e cila tashmë është e rënduar, duke e pozicionuar Greqinë në vendin e dytë për borxhet në zonën e euros sipas përqindjes së GDP-së, pas Italisë. Papandreu ka emëruar dy bashkëpunëtorët e ngushtë të tij në dy postet kyçe të qeverisë. Kryeministri grek e emëroi zëdhënësin e partisë socialiste, Jorgos Papakonstantinu si ministër të Financave, ndërkohë që ka formuar një kabinet të ri që përfshiu shumë gra dhe shkrirje ministrish. Akti i parë që kreu Papandreu ishte nënshkrimi i një seri dekretesh për bashkimin ministrive dhe zvogëlimin e numrit të së emëruarve politik në qeveri, duke përmbushur një premtim të fushatës për ristrukturimin e shtetit grek. Papakonstatinu, 47 vjeç, është një nga ekonomistët më në zë të trajnuar në SHBA dhe Britani, i cili ka shërbyer për 10 vjet në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris. Papandreu ka emëruar edhe zëdhënësen e partisë PASOK, Luka Katseli, si ministre të Ekonomisë, duke ia zgjeruar pushtetin me detyrën e zhvillimit të transportit detar, një burim jetik të ardhurave të Greqisë. Katseli, 57-vjeçe, ka qenë profesoreshë ekonomie në Universitetin Yale në SHBA dhe ka punuar edhe në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Kabineti i papandreut
Kryeministër: Jorgo Papandreu
Zv/kryeministër: Theodor Pangalos
Ministër i Brendshëm, Decentralizimi
dhe Elektronike: Janis Ragusis
Ministër Financa: Jorgo Papakonstantino
Ministër i Jashtëm: Jorgo Papandreu
Ministër i Mbrojtjes: Evangelos Venizelos
Ministër ekonomie: Luka Katseli
Ministër ambienti, Energjie: Tina Birbili
Ministër Arsimi e Besimi: Ana Diamantopulu
Ministër Infrastrukture, Transporti: Dimitris Repas
Ministër pune, Sigurie Sociale: Andreas Loverdos
Ministër shëndeti: Mariliza Ksenojanakopulu
Ministër Agrikulture, Ushqimi: Katerina Batzeli
Ministër Drejtësie, të drejtave të njeriut: Haris Kastanidis
Ministër i Mbrojtjes Civile: Mikalis Krisohoidis
Ministër Kulture e Turizmi: Pavlos Geroulanos
Ministër shteti: Haris Pamboukis