Meksi: Festivali i Gjirokastrës, shkolla e folkut shqiptar
Etnologu Thanas Meksi, tashmë 72-vjeçar, studiues dhe botues i traditës popullore të Qarkut të Elbasanit dhe më gjerë edhe këtë herë nuk mungoi në shkallët e kalasë së Argjirosë. Ai është pjesëmarrës i të gjitha festivaleve folklorike kombëtare zhvilluar në Gjirokastër dhe Berat, që nga viti 1968, si organizator, libretist, udhëheqës artistik, kostumograf... Pas kësaj eksperience të gjatë ai ka shumë për të treguar mbi një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore në vend.
Ç’ju shtyn ta ndiqni në çdo edicion Festivalin e Gjirokastrës?
Pavarësisht moshës, iu ngjita kalasë së festivalit, në të gjitha ditët e zhvillimit të tij, me dëshirë dhe me gëzim. Për ne etologët, festivali folklorik kombëtar është një ngjarje që e presim me padurim. Nuk është pak të ballafaqosh mendimet dhe studimet e tua me shokët dhe grupet e ansamblet nga të gjitha trevat shqiptare. Katër ansamblet kosovare, 2 nga shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, ansamblet nga Italia dhe SHBA treguan jo vetëm traditën e mirë për ruajtjen e folkut shqiptar kudo në botë, por sollën edhe rituale shumë interesante.
Ç’mbresa përjetuat gjatë festivalit?
Gjallërinë e qëmotshme, si dikur. Forcën dhe dinamizmin e këngës dhe valles shqiptare në shekuj. Kostumet shumë të bukura popullore, që vallë se i ka shtet tjetër në botë. Organizimi shumë i mirë nën drejtimin e zv/ministres së Kulturës, znj. Zana Turku, dretorit të QVKF, Esat Ruka, deri tek punonjësja e thjeshtë Merita. Edhe organizatorët vendas, ishin të pranishëm çdo ditë në programin e festivalit. FFK ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një shembull organizimi i një veprimtarie kulturore shumë të suksesshme dhe të arrirë. Eshtë një shkollë e madhe e folkut shqiptar.
A kishte prurje të reja ky festival?
Edhe ky edicion nuk u privua nga prurjet e reja dhe numrat interesantë. Ritualet e ndryshme, të theksuara në ansamblet e Kosovës dhe Maqedonisë, te arbëreshët e Italisë, rapsoditë e shoqëruara me lahutë, orkestrinat popullore profesionale dhe sazet, të kënduarit në grupe, ishin prurjet e këtij festivali. Nuk munguan në festival edhe baladat dhe ninullat, vajet… Aktivizimi i shumë fëmijëve dhe të rinjve ishte një dukuri pozitive dhe shumë domethënëse, që folklori ynë evoluon dhe trashëgohet.
Si do ta vlerësonit punën e jurisë së festivalit?
Kam edhe vërejtje. Sado e mirë të jetë ajo, nuk mund të largohet nga subjektivizmat. Nuk është e thënë që ajo të përbëhet nga studiues e shkencëtarë, apo akademikë, që e njohin folkun nëpërmjet zhvillimit të festivaleve. Folku duhet njohur me thellësi dhe jo vetëm përmes spektaklit.
Ndërkohë për ç’aktivitet po punoni?
Së bashku me Këshillin e Qarkut të Elbasanit dhe Bashkinë e këtij qyteti do të organizojmë Festivalin Ndërkombëtar të Folkut natyral, në Bushek të Elbasanit, me pjesëmarrje të ansambleve nga vendi dhe bota. Ndërkohë do të vazhdoj të punoj mbi veprën time “Kostumet popullore të Qarkut të Elbasanit” dhe mundësinë e botimit të një albumi tavoline.