E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili takon Xhaferrin për zgjedhjet



Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri ka pritur dje në një takim zyrtar kandidatin për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, Refik Halili dhe kandidatin për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, Sulejman Starova. Temë e bisedimeve kanë qenë zgjedhjet e ardhshme në FSHF, të cilat do të mbahen më datën 9 mars në Durrës. Halili është rivali kryesor i presidentit aktual Armand Duka, ndërsa përkrah tij kandidon edhe një emër i njohur i futbollit shqiptar, Rudi Vata. Mes Halilit dhe Dukës, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kanë munguar akuzat e ashpra. Në takimin e djeshëm Halili ka kërkuar sigurinë që mund të jep shteti për mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor sa më demokratik dhe i pakonteshtueshëm. Mes te tjerash Z.Halili shprehu edhe rezervat e tija lidhur me disa probleme para-zgjedhore të krijuara sipas tij enkas nga drejtuesit aktualë të FSHF-së. Halili vuri në dijeni ministrin Xhaferri për të paktën dy shoqata, ajo e mjekëve dhe futbollit amator, të cilat nuk janë rregjistruar ende në gjykatë dhe si të tilla nuk mund të votojnë në këtë asamble. Gjithashtu ai kërkoi që të kishte barazi mes kandidatëve për presidnet dhe jo vetëm edhe porsa i përtket numrit të të ftuarve në këtë asamble. Nga ana e tij ministri Xhaferri konfirmoi përkrahjen e fuqishme që shteti do t’i bëjë përvijimit në mënyrën sa më korrekte të punimeve të kësaj asambleje. Madje z.Xhaferri theksoi se do të merrte pjesë edhe vetë në këtë asamble si dhe do të kërkonte transparencë deri në fund, me numërimin e votave dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit për 4 vitet e ardhshme. Ndërkohë, edhe kandidati për anëtar i KE-së, Sulejman Starova, njihet si një kundërshtar i Dukës kërkoi që të kishte sa më shumë vëzhgues nga shteti për të mos lejuar manipulimin sipas tij të zgjedhjes së presidentit dhe anëtarëve të KE-së.

Starova: Duka, ky diktator
Kandidati për anëtar Komiteti Ekzekutiv, Sulejman Starova, ka akuzuar ashpër kreun aktual të FSHF-se, i cili sipas tij, për të mbajtur karrigen e presidentit në pafundësi, ka degjeneruar dhe dhunuar statutin e këtij institucioni. “Rregullorja e federatës është ndryshuar me dashje për të lejuar Dukën të kandidojë deri në moshën 70 vjeç, një gjë tërësisht absurde, duke parë që federatat homologe kanë kufirin me dy mandate”, ka pohuar ai. Starova thekson se gara në zgjedhjet e ardhshme fillon me një avantazh për kreun aktual, pasi ka një presion të vazhdueshëm të drejtuesve të federatës ndaj klubeve për votën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›