E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosovën s’e rrezikon fqinji, por korrupsioni e ndarja”



Pavarësia e Kosovës është lëvizje e historisë dhe kjo lëvizje nuk mund të ndalet, madje as të ndryshohet. Kështu ka deklaruar dje në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. “Shumë rrugë është bërë prej vizitës sime të fundit në prill 2007 dhe kjo rrugë përmblidhet me një fjalë. Pavarësia. Dua t’ju them në emër të Francës se, Pavarësia juaj nuk është në pyetje, kjo është lëvizje e historisë, askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë lëvizje të historisë dhe çdonjëri duhet ta pranojë”, tha ish-kryeadministratori i Kosovës. Në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, diplomati francez ka inkurajuar drejtuesit e shtetit të ri që të nisin rrugën e dialogut me Serbinë. “Nuk e di orën, nuk e di datën, por e di që një ditë Kosova dhe Serbia do të jenë në mesin e BE-së si vende të pavarura, vende mike. Dialogu mes vendeve tuaja është një kusht paraprak për projektin tuaj”, është shprehur ai. Por Kushner paralajmëroi autoritetet e Kosovës se, puna që tani kërkohet nuk është më e lehtë sesa puna dhe durimi që është bërë për të arritur deri te Pavarësia. Duke shprehur mbështetjen e plotë të vendit të tij dhe të Presidentit Nikola Sarkozi, ka theksuar edhe nevojën që në Kosovë të ketë një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike. “Ajo që mund të rrezikojë Pavarësinë, nuk është fqinji, por është brenda shtetit, korrupsioni, diskriminimi, ndarja. Pavarësia e ka një çmim. Ai që kërkohet është synimi. Jemi këtu për t’iu ndihmuar në këtë rrugë të vështirë, por do të mbetet rruga juaj, puna juaj, kuraja juaj dhe në fund suksesi juaj”, ka thënë ai. Kushner shtoi se ortodoksët serbë janë të ngulitur në tokën e Kosovës dhe kjo është një arsye më shumë që serbët e Serbisë të lejohen të vijnë në këto vende ku e gjejnë veten, duke e konsideruar këtë një gjest i inteligjencës politike. Gjatë vizitës në Beograd, Kushner tha se marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën “duhet të jenë më të thjeshta dhe të bazuara në miqësi”.

Hyseni: Mos na përjashtoni
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha gjatë takimit me Stefano Stefanin, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë, se Kosova nuk duhet përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave. Nga ana tjetër, Stefani tha se paqja në rajon duhet të kalojë përmes Serbisë. “Unë mendoj që megjithë ndryshimet politike që janë bërë dhe mendoj që paqja në rajon dhe këtu duhet të kalojë përmes Serbisë,” tha ai dhe i pyetur nga gazetarët për këtë, tha se “paqja duhet të kalojë përmes Serbisë, u pëlqeu apo nuk iu pëlqeu”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›