Kili, 711 numri i viktimave, stadiumi kthehet në morg
Nën gërmadhat e ndërtesave të shembura në Kili, pas lëkundjeve 8,8 gradë Rihter, vazhdojnë gërmimet në përpjkje për të nxjerrë trupa të gjallë apo të vdekur. Ndërkohë lëkundjet e tokës vazhdojnë. Numri i të vdekurve të vërtetuar deri tani ka shkuar në 711. Vetëm në Constitucion, sipas deklaratave të skuadrave të shpëtimit, kufomat e nxjerra deri tani janë rreth 350. Vjedhjet janë shtuar në këtë qytet, sidomos pas vënies flakë të një supermarkate rreth 300 metra nga ndërtesa e rrëzuar të shtunën, ku vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar. Familjarët e viktimave po bëjnë identifikimin e të dashurve të tyre në një stadium të qytetit. Sipas mediave kiliane, stadiumi “Municipal” është kthyer në morg, ku janë vendosur rreth 60 kufoma. Po në Constitucion llogariten rreth 300 persona të humbur. Kili ka kërkuar ndihmë nga kombet e bashkuara për skuadrat e shpëtimit. Qeveria kiliane ka vendosur të dërgojë 10 mijë ushtarë në zonat më të goditura nga tërmeti për të parandaluar vjedhjet, përfshirë edhe makinat e blinduara në Constitucion. Ministri i Brendshëm kilian, Edmundo Perez Yoma, duke komentuar gjendjen në vend tha se “çdo orë që kalon ka lajme më të këqija se më parë”.