E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi Komisioni hetimor nis nga puna javën tjetër

Autori i Lajmit: S. Topi

Komisioni hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit do të nisë normalisht punën dhe ne presim që opozita të bëhet pjesë e tij. Vendimet e rëndësishme të këtij komisioni do të merrem nga opozita. Kështu deklaron për “Ballkan” deputeti demokrat, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi. Ai sqaron dhe vendimin e Kuvendit, sipas së cilit, komisioni parlamentar hetimor ka 7 anëtarë nga opozita dhe 8 nga mazhoranca. Halimi pohon se dy nga anëtarët e mazhorancës do të tërhiqen për çdo votim të rëndësishëm në mënyrë që shumica ti mbetet opozitës në respekt të premtimit të bërë nga kryeministri Sali Berisha. Kuvendi miratoi dje ngritjen e Komisionit hetimor i cili do të ketë në përbërje të tij 15 anëtarë, 8 nga mazhoranca dhe 7 nga opozita. Opozita ashtu siç kishte marrë premtimin e Berishës do të ketë dhe kryesimin e këtij komisioni.
Zoti Halimi, kur pritet të nisë puna e komisionit hetimor në një kohë që opozita mohon ekzistencën e tij?
Komisioni do të nisë normalisht nga puna javën tjetër dhe do të hetojë zgjedhjet në përputhje me objektin e hetimit të përcaktuar nga Kuvendi. Të gjithë deputetët janë të mirëpritur që, ashtu si dhe në Parlament, të jenë në Komisionin hetimor. Por duhet pasur parasysh se asnjë vendim i rëndësishëm nuk do të merret pa praninë e opozitës e cila është shumicë faktike, kjo në bazë të deklaratave të bëra nga kryeministri Sali Berisha, i cili pohoi se opozita do të ketë shumicën e komisionit hetimor. Komisioni hetimor do të përcaktojë planin e hetimit, provat apo çdo lloj procedure tjetër.
Zoti Halimi, si mund të jetë shumicë opozita kur, sipas vendimit të Kuvendit, komisioni hetimor do të ketë gjithsej 15 anëtarë nga të cilët 7 nga Partia Socialiste ku përfshihet dhe kryetari dhe 8 nga mazhoranca?
Është e vërtetë, por kjo është vetëm një shumicë juridike dhe jo reale, sepse për çdo votim të rëndësishëm dy nga anëtarët e mazhorancës në komisionin hetimor do të tërhiqen për ti lënë gjithmonë shumicën opozitës. Pra, ne i qëndrojmë deklaratës së bërë nga kryeministri Sali Berisha që shumica, lidhur me vendimet e Komisionit, të ketë gjithmonë shumicën e tij.
Çfarë ndodh nëse opozita nuk paraqitet, do të vazhdojë funksionimi i tij?
Nëse ndodh kjo gjë, atëherë komisioni nuk do të mund të funksionojë si duhet se vendimet e rëndësishme duhet të merren dhe me votat e opozitës. Këtu përfshihet dhe raporti përfundimtar i komisionit hetimor. Por ne do të bëjmë transparencën dhe shpresojmë që opozita të bëhet pjesë e hetimit të zgjedhjeve, kërkesë që ajo e ka deklaruar për muaj me radhë.

PROJEKTVENDIM PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TRANSPARENCËN E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME, TË MBAJTURA MË 28 QERSHOR 2009.
II. Objekti i punës të komisionit hetimor:
a. hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor
b. hetimi i dyshimeve dhe akuzave të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit;
c. hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave;
ç. hetimin e akuzave publike të bazuar për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
d. hetimin e akuzave të bazuara për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik për shkaqe që lidhen me fushatën, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijuese pas saj;
dh. hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009.
e. çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor që do të rezultojë gjatë hetimit.
V. Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 15 deputetë. Kryetari i përket Partisë Socialiste. Komisioni përbëhet si më poshtë:
1. kryetar PS
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8. Ilir Rusmali PD
9. Eduard Halimi
10. Enkelejd Alibeaj
11. Aldo Bumçi
12. Arenca Trashani
13. Viktor Gumi
14. Edi Paloka
15. Nasip Naço. LSI

Ky lajm është publikuar: 21/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›