Halimi: Kemi ulur shpenzimet operative, por kemi shtuar investimet
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke theksuar se fondi për investime në Ministrinë e Drejtësisë është katërfishuar për vitin 2012, u shpreh se ky do të jetë viti me buxhetin më të madh në Ministrinë e Drejtësisë, duke përbërë vitin e reformave të thella.
"Ky buxhet është më i madhi për investimet që ka pasur gjatë këtyre viteve, pasi ai do të sjellë reformën e jashtëzakonshme të dixhitalizimit të sistemit të burgjeve, noterisë, përmbarimit, hipotekave, gjykatave", - tha ministri Halimi. Sipas tij, dixhitalizimi do të jetë në qendër të të gjitha reformave në Ministrinë e Drejtësisë, së pari në zhvillimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe përfundimin e dixhitalizimit të të gjitha gjykatave, dixhitalizimin e shërbimit të noterisë, që do ta modernizojë këtë shërbim duke ulur koston financiare për veprimet juridike për pasuritë e paluajtshme, si dhe projektin për mbikëqyrjen elektronike, që do të modernizoje sistemin e burgjeve, me impakt në rritjen e mëtejshme të sigurisë publike.