Halimi: Lugina e Preshevës të trajtohet njësoj

Çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, e sidomos në veri të vendit, mbeten sfida për të dyja vendet, por edhe për komunitetet në fjalë, vlerësojnë politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ata serbë të veriut të Kosovës.
Por, megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me qasjen që duhet ta kenë të dyja vendet ndaj pakicave dhe të drejtave të tyre.
Politikani Riza Halimi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se rregullimi i të drejtave të pakicave në Kosovë, në këtë rast edhe të serbëve, si dhe rregullimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duhet të bëhet nga vetë pakicat në marrëdhënie me qeveritë e vendeve ku jetojnë.
Por, sipas tij, kjo do të varet shumë edhe nga ndihma që serbët e Kosovës do ta kenë nga Beogradi zyrtar, ose në rastin tjetër, ndihma që shqiptarët e Luginës së Preshevës do ta kenë nga Qeveria e Kosovës.
Halimi thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkonte nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare të drejtat për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ashtu siç u siguron të drejtat serbëve të Kosovës, përmes dokumentit të Ahtisarit.
Politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jaksic, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike të Serbisë, thotë se çështjet e shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të serbëve që jetojnë në Kosovë, nuk duhet parë si të ngjashme.
“Personalisht mendoj se nuk duhet vendosur gjërat në këtë mënyrë, sepse sipas nesh, të gjitha këto janë pjesë të shtetit të Serbisë, do të thotë edhe veriu i Kosovë, po edhe i ashtuquajturi jugu i Serbisë. Për këtë shkak, nuk do të duhej të vendosen në kuptimin e barazisë, njëra zonë për tjetrën zonë, duke pasur parasysh që qëndrimet tona janë se të gjitha këto zona janë pjesë të shtetit të Serbisë”, shprehet Jaksic.
Por, Halimi insiston duke e cilësuar të njëjtë pozitën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi me pozitën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe zgjidhja e problemit të të dyja palëve, sipas tij, kërkon standard të njëjtë.
Pozita dhe problemet e shqiptarëve në Serbi dhe pozita e serbëve në Kosovë është e ngjashme dhe çfarëdo dallimi, dallim drastik, që tani për tani shihet se ekziston në qasjen e zgjidhjes në Kosovë dhe këtu në Serbi, nuk do të jetë i dobishëm.
Ndërkohë, kërkesa eventuale në dialogun eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që çështja shqiptarëve në Serbi të rregullohet me reciprocitet sipas modelit të të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë, sipas Jaksici do të ishte e pakuptimtë.
Siç thotë ai, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të konsiderohen si bisedime ndërmjet dy partnerëve të barabartë, për shkak se Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të saj. Por, siç thotë Jaksic, në rast se një temë e tillë hapet, kjo do të ishte humbje për Serbinë.