Merkel me Samaras: Gjermania, përkrah Greqisë për qëndrimin në euro

Samaras dhe Merkel, dje në Berlin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania do të qëndrojë përkrah qeverisë greke ndërsa ajo lufton për të rimëkëmbur ekonominë, duke surprizuar kritikët e eurozonës të cilët kërkojnë daljen e Greqisë nga grupi. Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin grek, Antonis Samaras dje në Berlin, Merkel tha se kushtet për huan ndërkombëtare ndaj Greqisë mbeten të njëjta dhe se ajo është thellësisht e bindur se Kryeministri do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të kapërcyer krizën. Qëllimi i masave të kursimit është të ndihmojë Greqinë të arrijë dritën në fund të tunelit, sipas saj. Unë dua që Greqia që qëndrojë në eurozonë dhe për këtë jam duke punuar, tha Merkel pas takimit me Samaras, i cili ishte në vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin, që kur mori pushtetin në qershor. Përmbushja e angazhimeve do të çojë në kthimin e besimit në eurozonë, shtoi ajo. Deklaratat mbështetëse të Merkel vijnë pas darkës së të enjtes me Presidentin francez, Fransua Holande, dhe shihen si një nga garancitë më të forta për të rindërtuar besimin në marrëdhëniet Greqi-Gjermani. Ndërsa Samaras, i pyetur mbi komentet kritike të bëra nga një zyrtar i lartë i partisë së Merkel pro daljes së Greqisë nga eurozona, tha se kakofonia e fjalëve dhe spekulimet mbi daljen e Greqisë nga eurozona duhet të ndalojnë, sepse përkeqësojnë sjelljen e investitorëve dhe minojnë qëllimin e përmbushjes së kushteve të huas së shpëtimit. Ai i quajti ato komente toksike, të cilat nga kudo vijnë, mundet vetëm të dëmtojnë. Samaras sot pritet të takojë në Paris Presidentin francez, Holande.