E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Modeli qeverisës i Ramës, model i dështuar - Tirana e hodhi në Lanë

04-06-2013 / Gazeta 55

Ministri Halimi dhe deputeti Ilgi Cara me banorët e Spitallës

Deputeti dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi bashkë me kandidatin tjetër Igli Cara, që është edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, kanë takuar banorë të zonës së Spitallës, ku kanë diskutuar për çeshtje të ndryshme, që nga legalizimet, furnizimi me ujë të pijshëm, e deri tek shtrimi i rrugëve të brendshme. Kandidati Eduard Halimi tha se “në këto zgjedhje, qeveria e Partisë Demokratike vjen me premtime të mbajtura”. Ndërkohë, duke folur për alternativën që kërkon të sjellë Partia Socialiste, ai tha se “modeli qeverisës i Ramës është model i dështuar.” Banorëve në takim iu drejtua edhe kandidati Igli Cara, i cili, pasi renditi premtimet e mbajtura nga qeveria, tha se për mandatin e ardhëm do të ndërmerren deri edhe ndryshimet e nevojshme ligjore, që pushteti vendor të detyrohet për të investuar në infrastrukturë fondet që u transferohen nga qeveria. Kandidati Eduard Halimi tha se “problemet me te cilat përballej zona e Spitallës në vitin 2005 ishin tashmë zgjidhur.” “Rrugët kryesore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të qytetit janë ndërtuar, siç është edhe rruga e Porto Romanos, - tha Eduard Halimi. - Furnizimi me energji elektrike është tani një problem i së kaluarës. Po ashtu, edhe furnizimi me ujë të pijshëm është zgjidhur plotësisht, pasi kjo zonë tani furnizohet 24 orë në ditë.” Një prej problemeve që zona e Spitallës kishte ishte edhe legalizimi i ndërtimeve informale dhe urbanizimi i zonës. Sipas kandidatit Eduard Halimi, “kjo çështje tashmë ka hyrë në rrugën e zgjidhjes së plotë”. “Ju keni investuar dhe keni ndërtuar shtëpitë tuaja në këtë zonë dhe t’i gëzoni ato, - tha Eduard Halimi. - Proçesi i legalizimit këtu ka arritur deri në 92 përqind dhe brenda vitit do të mbyllet plotësisht. Ju do të merrni në dorë certifikatat e pronësisë së shtëpive, që do të jenë çertifikata elektronike dhe të pakontestueshme nëpër gjykata”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›