E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Prokuroria shkelje të shumta të ligjit

Ai sqaroi se nga 121 procedime penale të kontrolluara në shkallën e parë janë konstatuar me shkelje 49 procedime, që i atribuohen 59 prokurorëve. 

“Vendimet për zgjatjen e hetimeve paraprake përpilohen formalisht, duke mos treguar në mënyrë të plotë shkakun e kompleksitetit të çështjeve apo të pamundësisë objektive për përfundimin e veprimeve hetimore brenda afatit të rregullt ligjor.  Vendimet e zgjatjes së afateve hetimore paraqiten identike në tekst, me ndryshim vetëm të datës së nxjerrjes së tyre. Shkeljet e afatit hetimor dhe zvarritja e hetimeve deformojnë në praktikë procesin e rregullt ligjor, të mbrojtur nga nenet 28, 31 dhe 42 të Kushtetutës, si dhe nga neni 6 i KEDNj-së. Kjo kategori shkeljesh cenon të drejtën kushtetuese të individëve për një proces të rregullt ligjor dhe minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale”, tha ai.

Halimi tha se nuk ka asnjë rast të ushtrimit të së drejtës së ankimit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë nga prokuroria e apelit, kur prokuroria e shkallës së parë nuk e ka ushtruar këtë të drejtë. “Kjo problematikë jep efekte të drejtpërdrejta në politikën penale në rastet kur lloji dhe masa e dënimit, të kërkuara nga prokuroria e rrethit nuk ka qenë në raport të drejtë me rrethanat konkrete të procedimit penal. Ajo rrezikon edhe qëllimin e organizimit të prokurorisë si strukturë e centralizuar dhe hierarkike, në funksion të misionit kushtetues për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit për një politikë penale efiçente”, shtoi ai.

Gjithashtu, kreu i MD-së tha se prokurori i apelit nuk ushtron rekurs dhe ndryshon qëndrim kryekëput nga ai i mbajtur prej tij në seancë gjyqësore në apel.  “Nga 140 raste të gjykuara në apel mbi ankimin e prokurorit, vetëm në 31 raste ankimet e prokurorit janë pranuar nga gjykatat e apelit”, sqaroi.  Kjo sipas tij, tregon mungesë të efektivitetit të ankimeve të prokurorit, formalizëm të prokurorëve të apelit, në mbështetjen e prokurorëve në shkallë të parë dhe profesionalizëm të ulët të prokurorëve, si në paraqitjen e ankimeve, ashtu edhe në përfaqësimin në apel. 

“Kjo mënyrë e të proceduarit jep efekte negative në drejtim të parandalimit të këtyre veprave penale dhe mungesën e efiktivitetit të politikës së dënimit të ndjekur deri tani prej organit të akuzës. Ky qëndrim i prokurorisë ul besimin e publikut jo vetëm tek organi i akuzës, por edhe tek drejtësia ne përgjithësi. Tendenca dhe orientimi i politikës penale drejt kufijve minimalë ligjorë të llojit e masës së dënimit penal jep mesazhin më negativ sepse sulmon drejtpërdrejt dhe në mënyrë agresive sigurinë publike të qytetarëve.  Kjo lloj politike asgjëson qëllimet e dënimit penal”, shtoi.

Në Republikën e Shqipërisë ushtrojnë funksionin e prokurorit në shkallë të parë 287 prokurorë dhe funksionin e prokurorit në apel 28 prokurorë.  Në 16 kontrollet e ushtruara kanë inspektuar veprimtarinë e të paktën 69 prokurorëve në shkallën e parë dhe 14 prokurorëve në apel. Pra janë inspektuar 83 prokurore nga 315 qe ka sot vendi. /Start/

                                                                                             2012-06-27 15:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›