Halimi i dërgon Nishanit raportin ku kërkohet fillimi i procedimit disiplinor për 12 prokurorë në Korçë
Ministria e Drejtësisë i dërgoi sot Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm një raport për kontrollin e ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Në raport thuhet se 12 prokurorë kanë kërkuar dënimë minimale. 62 përqind e çështjeve nuk janë ankimuar nga asnjë palë, ndërkohë që prokurorët kanë ankimuar vetëm 8 përqind të çështjeve gjatë vitit 2011. Në 39 përqind të rasteve prokurorët kanë kërkuar dënim në minimum. 80 vendime pafajësie nuk janë ankimuar fare. Në 66 përqind të rasteve është kërkuar dënimi minimal duke aplikuar gjykimin e shkurtuar. Po ashtu 50 përqind e rasteve të inspektuara janë me shkelje dhe vonesa në prokurori.
Inspektorët kanë kontrolluar gjatë inspektimit faktmbledhes, 434 çështje penale të përfaqësuara nga prokurori në gjykim, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 12 prokurorëve. Nga inspektimi ka rezultuar se ekzistojnë shkelje procedurale në 39 raste të qëndrimit të prokurorit në gjykim, të cilat iu atribuohen 12 prokurorëve, thuhet në njoftim.
Nga 10 procedime penale të inspektuara për të gjykuarit me masë sigurimi arrest në burg, në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, që përfshijnë veprimtarinë e 1 prokurori të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve për periudhën objekt kontrolli 1-31 Tetor 2011, kanë rezultuar me shkelje 5 prej tyre ose 50% te rasteve të kontrolluara.
Sipas raportit të kontrollit dhe të dhënave zyrtare statistikore për vitin 2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë vendim përfundimtar për 601 çështje penale, nga të cilat janë ankimuar 232 prej tyre. 46 vendime janë ankimuar nga prokurori dhe 203 janë ankimuar nga i pandehuri, ndërsa 369 ose 62% e çështjeve nuk janë ankimuar as nga prokurori dhe as nga i pandehuri, vijon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Halimi ka kërkuar procedim disiplinor ndaj prokurorëve.
Në zbatim të nenit 56, pika 4 të Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimi i procedimit disiplinor për 12 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës në ushtrimin e një politike të butë dënimi të orientuar drejt kufijve minimalë të dënimit, mungesë efektiviteti të përdorimit të mjetit të ankimit dhe mosrespektim të afateve ligjore në ekzekutimin e vendimeve.”