E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e re e pagave, rritje rrogash policisë gjyqësore



Policia Gjyqësore do të ketë një sistem të ri pagash, duke nisur nga ky vit, ndërsa efektet financiare fillojnë nga 1 janari i vitit 2011. Rritja e pagave për oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, po siç njihen ndryshe “hetuesit” parashikohet në një skemë të re të llogaritjes së pagës, sipas projektligjit të ri “për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”, i cili ka kaluar në Qeveri më 16 qershor 2010 dhe pritet të shqyrtohet në Parlament. Sipas relacionit të projektligjit, ndryshimet parashikojnë rritjen e pagës së oficerëve të Policisë Gjyqësore, me 2 për qind në vit, pas 5 vitesh në shërbim. Sipas ligjit, për kushte të veçanta pune, siç është ushtrimi i detyrës pranë Policisë Gjyqësore në Seksionin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe Apelit për Krime të Rënda, si dhe pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, shtesa në pagë arrin deri në 20 për qind. Ligji parashikon se oficerët e këtyre seksioneve, përfitojnë shpërblime dhe merita të veçanta sipas rastit, me propozim të drejtuesit të Prokurorisë ku ushtrojnë detyrën dhe me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Projektligji që pritet të miratohet në Kuvend, parashikon se oficerët e Policisë Gjyqësore, të emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, përfitojnë vështirësi pune deri në masën 20 për qind, me propozim të Këshillit të Prokurorisë dhe me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Ndryshimet në ligj
Projektligji i ri parashikon procedura të reja për transferimin ose ngritjen në detyrë të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Sipas draftit, drejtuesit e Policisë Gjyqësore duhet të njoftojnë prokurorin e rrethit, dhjetë ditë para transferimit apo ngritjes në detyrë të oficerit. Në rast se oficeri është duke vazhduar hetime për një çështje të rëndësishme, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtën të pezullojë ose të shtyjë transferimin ose ngritjen në detyrë të oficerit, deri në përfundimin e hetimeve. Pas largimit nga detyra, prokurori i rrethit harton një vlerësim për oficerin e Policisë Gjyqësore, i cili bëhet pjesë e dosjes personale të OPGJ. Projektligji i ri parashikon edhe detyrimin e oficerëve të Policisë Gjyqësore, për të dhënë dorëheqjen nga hetimi i një çështje në rast se verifikohet se ata kanë konflikt interesi. Po kështu, ndryshimet në ligj, i bëjnë oficerët e Policisë Gjyqësore më të varur nga prokurori i rrethit në aspektin e llogaridhënies sesa ndaj prokurorit të thjeshtë që drejton hetimet e dosjes penale. Drafti për ndryshime në ligj, fuqizon strukturën e Policisë Gjyqësore, duke e bërë atë më garante ndaj ndërhyrjeve apo presioneve në një hetim duke parashikuar se largimi i një OPGJ nga një proces hetimi mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Emërimet nga prokuroria
Në relacionin e projektligjit thuhet se nga analiza e punës së deritanishme të seksioneve të policisë gjyqësore, është ngritur shqetësimi për diferencën profesionale mes OPGJ-ve të Prokurorisë dhe atyre të policisë. Për këtë shkak është vendosur që Prokurori i Përgjithshëm të ketë të drejtën e emërimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Drafti parashikon vendosjen e një sërë rregullash për trajnimet e detyrueshme profesionale për oficerët e policisë gjyqësore, me qëllim përmirësimin e aftësive të tyre profesionale. Projektligji parashikon se OPGJ-të do t’i nënshtrohen një vlerësimi periodik në rezultatet e punës së tyre, si dhe përfshirja në seksionet e policisë gjyqësore e specialistëve nga fushat e ndryshme.

Rritja e pagave të hetuesve

- 2 për qind shtesë page për çdo vit pune vjetërsi në detyrë

- 59.500 lekë të reja paga bazë e oficerit të policisë gjyqësore, e barabartë me 70 % e pagës së Prokurorit të rrethit

- 4760 lekë shtesa në pagë për vjetërsi çdo muaj

- 11.900 lekë të reja në muaj, shtesa maksimale e pagës për vjetërsi pune për O.P.Gj në Shkallën e Parë

- 115 oficerë në Prokuroritë e Shkallës së Parë në rrethe

- 13 oficerë të Policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda

- 5 oficerë të Policisë gjyqësore në Prokuroritë e Apeleve

- 20 ofierë të Policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme

- 153 oficerë të Policisë Gjyqësore në gjithë strukturën e Prokurorisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›