Hamallaj, priten dhe 40 fletë-arreste
DURRES/ OERD ULQINI
Rreth 40 fletë-arreste të tjera janë prerë nga policia e Durrësit për përleshjen e ndodhur në Hamallaj të enjten e kaluar. Personat e identifikuar si pjesëmarrës në protestën e dhunshme ndaj forcave të rendit dhe Inspektoratit Ndërtimor janë shpallur në kërkim nga ana e policisë. Ndërkohë që dosja pritet të zgjerohet me të implikuar të tjerë në sulmin me gurë, shkopinj e shishe benzine, Gjykata e Durrësit vendosi dje të lërë në burg pa afat 4 prej shtatë të arrestuarve të parë për përleshjen e Hamallajt të enjten e kaluar. Me akuzat e "organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme", "pengim i mjeteve të transportit", "prishje e rendit dhe qetësisë publike" dhe "goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim", do të qëndrojnë në qeli deri në fund të hetimit: Abedin Rustemaj, 38 vjeç, Edmir Osmanaj 32 vjeç, Mentor çerkezi 27 vjeç dhe Alfred Kuka 25 vjeç. Dy persona të tjerë, të akuzuar për pjesëmarrje në këtë protestë, u lanë në masën e qëndrimit në burg për 20 ditë, ndërsa një tjetër u la i lirë, pasi për të, për shkak të moshës dhe kushteve shëndetësore u vendos masa e detyrimit të paraqitjes. Për të arrestuarit Agim Rustemaj 52 vjeç e Bujar Hysa 44 vjeç është kërkuar 30 ditë burg deri në plotësimin e dosjes së akuzës dhe është vendosur nga gjykata 20 ditë mbajtje në qeli për t'i dhënë mundësi prokurorisë të sjellë provat. I vetmi që është lënë i lirë në sallën e gjyqit ka qenë Pjetër Kaçi, 65 vjeç. Këta persona u arrestuan pak orë pas ngjarjes së përgjakshme në Hamallaj të Sukthit në Durrës. Banorët e zonës bregdetare reaguan në mënyrë të dhunshme, pasi Inspektorati Ndërtimor kishte lajmëruar një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje. Sipas Policisë Ndërtimore, në shënjestër ishin objektet që u ndërtuan duke shkelur ligjet e urbanistikës në këtë zonë buzë Adriatikut. Ndërsa nga ana e tyre, banorët reaguan menjëherë, duke u shprehur se nuk kishin shkelur asnjë ligj, madje kishin ndërtuar shumë vite më parë, duke kryer çdo procedurë për legalizimin e shtëpive. Ata u organizuan papritur në protestë, duke i bllokuar mjetet e Ndërtimorëve dhe forcat e policisë, në urën hyrëse të Hamallajt. Reagimi u bë i dhunshëm, ndërsa specialët e FNSH-së tentuan të çanin rrethimin e banorëve. Situata degjeneroi me zjarr, pasi u qëllua me shishe benzine. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur 3 efektivë të FNSH-së dhe një numër i madh banorësh. Këta atë fundit janë shprehur se nuk do të lënë Ndërtimorët që të afrohet në zonën ku jetojnë.
Të arrestuar
1- Alfret Kukaj, 26 vjeç, banues në Sukth Durrës
2- Avni Rustemaj, 55 vjeç, banues në Sukth Durrës
3- Edmir Osmanaj, 32 vjeç, banues në Sukth Durrës
4- Mentor Cekrezi, 27 vjeç, banues në Sukth Durrës
5- Abedin Rustemaj, 38 vjeç, banues në Tiranë
6- Agim Rustemaj, 52 vjeç, banues në Tiranë
7- Gazmir Hasanpapaj, 34 vjeç, banues në Hamallaj
8- Bujar Hysa, 44 vjeç, banues në Hamallaj