E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i pijshëm, Bashkia apel qytetarëve: Mos e pini, i ndotur



URE VAJGURORE - Ndotja dhe analizat e ujit të pijshëm kanë futur në konflikt institucionin e bashkisë me Drejtorinë e Ujësjellësit. Prej vitesh në këtë qytet uji është tejet i ndotur. Edhe sot, uji është i rrezikshëm për t'u konsumuar si pasojë e ndotjes nga lëndët plasëse të gurores, fekalet dhe lëndë të tjera kimike. Edhe klorinimi që bëhet nga Drejtoria e Ujësjellësit nuk hidhet në mënyrë të rregullt. Lënda hidhet direkt në tubacion dhe jo në depon e madhe. Këto fakte pohohen nga bashkia e qytetit, e cila i ka kërkuar zyrtarisht Drejtorisë së Ujësjellësit që të japë përgjigjet e analizave, të cilat kryen çdo ditë. Por ujësjellësi nuk bën të mundur njohjen e këtyre analizave, çka ka shkaktuar edhe sherrin ndërmjet këtyre dy institucioneve.
Inspektori i Shëndetit Publik, Petraq çami, u shpreh se bashkia u ka bërë thirrje banorëve të qytetit që të mos e konsumojnë më ujin e pijshëm pasi është shumë i ndotur dhe i helmuar. "Ne nuk do të lejojmë që të përhapet përsëri kolera në këtë qytet, pasi disa vjet më parë ka rënë kolera në qarkun e Beratit, dhe epiqendra ishte në qytetin e Urës - Vajgurore. I kemi kërkuar si bashki Drejtorisë së Ujësjellësit, që të japë rezultatin e analizave ditore, por drejtuesit e saj nuk kanë pranuar. Ne si bashki do të bëjmë bllokimin e ujësjellësit pasi ndotja ka arritur në nivele shumë të larta duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve", u shpreh inspektori i Shëndetit Publik në Bashki, Petrit çami. Burime nga bashkia bënë të ditur se do të merren masa për bllokimin e ujësjellësit dhe do të kërkojnë ndihmë urgjente nga Qeveria për të filluar ndërtimin e ujësjellësit të ri pasi vendi është piketuar. Bashkia tashmë po furnizon me ujë të pijshëm banorët me autobote, të cilat marrin ujë në vend burimin e Bogovës. Sipas inspektorit të Shëndetit Publik, një vit më parë nga ndotja e ujit u shtruan në spital 30 persona, 20 prej të cilëve ishin fëmijë. "Ne nuk do të bëhemi më sehirxhinj përballë një fakti kaq të rrezikshëm që ka të bëjë me jetën e qytetarëve. Drejtoria e Ujësjellësit duhet t'i sjellë bashkisë fletë analizat, mos të fshehë ndotjen e ujit të pijshëm", u shpreh çami. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›