Hamdi Salihi bëhet çështje në SHBA

Salihi dhe Henri
U prit te DC Junajtid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “shpëtimtari” i sulmit të kësaj skuadre dhe ai që do t’i kthente titullin, por pak javë nga starti i kampionatit mediat kanë nisur me kritika ndaj lojtarit të Kombëtares shqiptare. Hamdi Salihi nuk ka shënuar as në ndeshjen e kësaj jave të Junajtid ndaj Nju Jork Red Bulls dhe, për më tepër, ka qenë në hije gjatë gjithë lojës. Skuadra e tij fitoi 4-1 ndaj ekipit ku luan Tieri Henri dhe Rafael Markez, por golat për DC Junajtid u realizuan tre nga Pontius dhe një nga DeLeon. Pikërisht këtu qëndron problemi: 24-vjeçari Kris Pontius është një lojtar i konsideruar si rezervë në këtë skuadër, i cili përfiton shumë herë më pak sesa Salihi, por ai ka sfumuar totalisht me lojën e tij sulmuesin kuqezi, një fakt ky i theksuar nga mediat në analizat e një ditë me pas. Ndërkohë që lojtari tjetër, Nik DeLeon, konsiderohet si rezervë e tretë në skuadër (është vetëm 21 vjeç), por edhe ky tashmë shihet si më rezultativ sesa Salihi, i cili firmosi para dy muajsh një kontratë prej 3 milionë dollarësh për 4 vitet e ardhshme me këtë skuadër. Por deri tani shkodrani nuk ka shënuar asnjë gol në ndeshjet zyrtare, përveçse në dy-tri miqësore në muajin mars.
Penalltia e Berishës, polemika në Australi
Penalltia e marrë nga Besart Berisha në fund të ndeshjes Perth Glori-Brisbane Roar 1-2 është kthyer në një çështje në Australi. Ishte pikërisht ajo penallti, që më pas i dha jo vetëm tri pikët skuadrës së Berishës por edhe titullin kampion. Faktikisht penalltia ishte mjaft e dyshimtë (për të mos thënë inekzistente), por arbitri e akordoi dhe Berisha arriti të realizojë. Një ditë më vonë, shumë media dhe analistë kanë kritikuar mënyrën se si Brisbane mori titullin duke drejtuar më së shumti gishtin nga Berisha. Sakaq, në krah të sulmuesit shqiptar ka dalë kapiteni i skuadrës, Mat Smith. “E njoh Berishën, nuk do simulonte”.