E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vazhdojmë fitoret me Benitez

Zikaltërit Kordoba analizon situatën tek Interi dhe përgatitjet me trajnerin e ri

Interi, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një turne miqësor, po përshtatet ditë pas dite me idetë e Rafa Benitez, për të vazhduar rrugën e fitoreve dhe për të harruar Zhoze Murinjon. Rreth situatës aktuale të zikaltërve ka folur veterani Ivan Ramiro Kordoba. Mbrojtësi foli rreth teknikut spanjoll: “Benitez është një person që flet shumë me lojtarët. Pas çdo seance stërvitore ai afrohet dhe bën një përmbledhje të vogël të asaj që kemi bërë, madje i thotë edhe çdo futbollisti se në çfarë momentesh ka vepruar mirë dhe ku duhet të përmirësohet”. 33-vjeçari ka vlerësuar komunikimin e ish-drejtuesit të Liverpulit, edhe jashtë fushës. “Benitez flet edhe jashtë fushës, është një njeri simpatik. Ky është tipari i karakterit të trajnerit që kemi zbuluar deri më tani, ndërsa tashmë presim ta njohim edhe më mirë dhe të fitojmë së bashku me të, shtoi Kordoba për ‘Inter Channel’. E gjithë skuadra është në dispozicion të teknikut, për të punuar dhe për të luajtur ashtu si ai do të na e kërkojë. Gjithashtu synojmë të përmirësohemi në lojë e të dhurojmë edhe spektakël”.

Pasi fitoi “tripletën” (kampionat, Kupë dhe Champions), Interi duket ende i “etur” për suksese të mëtejshme. “Të gjithë jemi të kënaqur dhe të gatshëm që të ndjekim ndryshimet e sjella nga Benitez dhe stafi i tij. Natyrisht, që duke qenë se po flasim për një metodë të re pune dhe loje, kemi ende nevojë të punojmë dhe t’i asimilojmë teknikat, për t’u përmirësuar”. Trajneri po i kushton vëmendje të veçantë fazës difensive të lojës së zikaltërve. “Po punojmë shumë në aspektin taktik dhe në pozicionimin gjatë situatave të ndryshme. Gjithashtu Benitez po kujdeset që repartet, mbi të gjitha mbrojtja me mesfushën, të luajnë më afër: në këtë mënyrë skuadra do të lërë më pak hapësira për kundërshtarët dhe do të na i lehtësojë lëvizjet në momentet kur mbrohemi. E gjithë kjo punë taktike është e rëndësishme për të qenë më të sigurt në aspektin difensiv. Një skuadër e ndërton lojën nga mbrojtja e fortë, për të vazhduar përpara dhe për të kërkuar rezultate pozitive”. Në radhët e Interit në SHBA janë shumë lojtarë të rinj, të cilët shkëlqyen në miqësoren e parë të fituar me Mançester Sitin. Ndërmjet tyre spikat braziliani i talentuar, Koutinjo, për të cilin kolumbiani Kordoba theksoi: “Ka aftësi të mëdha teknike dhe kërkon të paraqitet sa më mirë. është një djalosh modest, por mbi të gjitha është i gatshëm që të sakrifikohet për skuadrën në fushën e lojës. Kjo është një cilësi që nuk e kanë të gjithë lojtarët. Ka futbollistë që ashtu si Koutinjo kanë shumë fantazi, por që shpeshherë kanë pak dëshirë për të punuar në fazën mbrojtëse për të ndihmuar skuadrën. Po flasim për një lojtar të ri, të cilit natyrisht do t’i duhet të mësojë dhe të punojë shumë, por deri më tani ai është paraqitur mjaft mirë”.

Ndërsa po tenton të ndërtojë skuadrën e tij, Benitez duhet të përballet edhe me largimet e mundshme. I pari është ai i Mario Balotelit, që më në fund ka gjetur akordin me Mançester Sitin dhe zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti. Largimi i dytë është edhe më i rëndësishëm: bëhet fjalë për brazilianin Maikon, i cili duket fare pranë Realit të Madridit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›