E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Zhegu: “Selman Stërmasi”, shpejt me “look” anglez”

Nga Dash Frashëri
Albania-sport - "Me investimet e duhura "Selman Stërmasi" mund të kthehet në një stadium tip anglez me 20.000 vende". Kështu është shprehur, përgjegjësi i stadiumit, Hamdi Zhegu ekskluzivisht për Albania-sport. "Madje ekziston një projekt-ide fillestare për të". "Stadiumi "Selman Stërmasi" nuk do të licensohet më për ndeshjet ndërkombëtare, pasi nuk plotëson kushtet e vëna nga UEFA për aktivitete të atyre përmasave. Verën e kaluar në stadiumin tonë u luajtën katër ndeshje: 3 për Kupën UEFA (Tirana-Varteks, Tirana-Kayserispor; Dinamo-CSKA Sofje) dhe 1 për Kupën Intertoto (Partizani-Ethinkos Achnas). Por kjo ishte hera e fundit që institucioni i UEFA-s pranoi. Në "Selman Stërmasi" mungojnë vendet për gazetarët, apo dhe kushte të tjera të domosdoshme", shton jo pa keqardhje Zhegu, i "dashuruar" pas ngjyrës së gjelbër. "Edhe stadiumi "Selman Stërmasi" ka nevojë për investime të tjera, pasi është investuar vetëm në tapetin e tij dhe në tribunën përkarshi. Gjithsesi stadiumi mbetet tërësisht i amortizuar pasi është ndërtuar para gati 60 vjetësh, në vitin 1959. Duhet të ndërhyhet nga Bashkia apo donatorët për të bërë një stadium model në zemër të Tiranës", pohon Zhegu. "Me investimet e duhura "Selman Stërmasi" mund të kthehet në një stadium tip anglez me 20.000 vende". Si pjesë e SK Tirana, Hamdi Zhegu ka parë shumë stadiume në Europë. "Kam qenë i pranishëm në mbi 25 stadiume në Europë. Në Gjeorgji kishin bërë një stadium të mrekullueshëm që u përurua ditën e ndeshjes FC Gomel-SK Tirana dhe fituam ne 0-2. Kam qene në Hungari, Slloveni, Qipro, Turqi, Kroaci të cilat kanë një infrastrukturë të mrekullueshme". Në 10 stadiumet shqiptare vitet e fundit janë investuar shuma të konsiderueshme financiare në kuadër të projektit "Hat –Trick", por tapeti i stadiumit të dytë të kryeqytetit, "Selman Stëtmasi", vlerësohet si një nga më cilësorët në Shqipëri. "Është shumë e lehtë të investosh në investimin e një fushe futbolli, por është akoma më e vështirë ta mirëmbash atë në kushte optimale", shprehet për Albania-sport.com, përgjegjësi i stadiumit, Hamdi Zhegu, që shton se një tapet i mirë kërkon të paktën plotësimin e tri kushteve bazë: zgjedhjen e një tapeti cilësor, konservimin dhe moszhvillimin e stërvitjeve brenda kohës së përcaktuar dhe kujdesin e përditshëm sidomos pas ndeshjeve. "Është e domosdoshme që cdo muaj tapeti i gjelbër të trajtohet me superfosfat, nitrat apo masa të tjera që kanë të bëjnë me ujitjen, nivelimin", saktëson Zhegu, teksa përmend se investimi për tapetin, kanalizimet dhe të gjithë aksesorët e tjerë në "Selman Stërmasi" ka shkuar deri në 300.000 USD. Edhe pse në stadiumet kryesore të Shqipërisë, si në "Niko Dovana" (Durrës), "Besa" (Kavajë), "Loro Borici" (Shkodër), është investuar në shuma të konsiderueshme, prapë se prapë gjendja e tapeteve të tyre është degraduar. "Nëse neglizhon detyrën, patjetër që fusha dalë ngadalë do të shkojë drejt degradimit. Nëse nuk e mirëmban fushën do të thotë se dashje pa dashje je duke flakur poshtë investimin e kryer", sqaron Hamdi Zhegu. "Unë do të bëja thirrje që stadiumi i "Skënderbeut", një stadium i rrethuar dhe brenda të gjitha parametrave, të pajiset me një tapet të ri dhe cilësor, si të simotrave të saj. Edhe stadiumi "Luftëtari" urgjentisht duhet të pajiset me tapet të ri. Fusha e stadiumit të Gjirokastrës i përngjan fushës së "Selman Stërmasit" para pesë vjetësh. Nuk mund të luash futboll në kushte të atilla", i bën apel përmes Albania-sport.com., Hamdi Zhegu drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›