E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maltezët kanë në dorë kokën e Oto “Pashë” Bariçit

Albania-sport - Një skuadër gjyqtarësh maltezë, të kryesuar nga Josef Atard do të drejtojnë ndeshjen ndërkombëtare Shqipëri-Slloveni, takim që do të luhet më 24 mars 2007, në stadiumin e qytetit të Shkodrës "Loro Borici",ora 20:15.
Gjyqtari ishullor do të ndihmohet në sfidën më të rëndësishme të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Baric nga Filip Agius (asistent i parë) dhe Ingmar Spiteri (asistent i dytë). Edhe gjyqtari i katërt do të jetë nga Malta: Kristofer Lautier.
Shqipëri-Slloveni është ndeshja e katërt për vendin tonë në Grupin G të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, finalet e të cilit do të luhen vitin e ardhshëm në Austri dhe Zvicër.
Shqipëria në tri ndeshjet e para zyrtare ka mundur të grumbullojë vetëm 1 pikë në transfertën e Bjellorusisë (2-2) dhe ka humbur me Rumaninë në Tiranë (0-2) dhe me Holandën në Amsterdam (2-1). Sllovenia ka grumbulluar 3 pikë në tri ndeshje: 1 fitore me Luksemburgun (2-0)dhe dy humbje: me Bullgarinë (3-0) dhe Bjellorusinë (4-2).
Shqipëria humbi më 7 mars po në Shkodër me Maqedoninë (0-1), një miqësore që rezultoi me jo pak probleme për të ardhmen e trajnerit Baric.
Sipas FSHF-së, Shqipëria do të zhvillojë në datën e lirë të 22 gushtit një takim miqësor me Maltën. Takimi do të luhet në Maltë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›