E Shtunë, 31 Tetor 2026

Usain Bolt fitoi garen e 100 m ne Montekarlo me kohen 9.88 sekonda

Dikur njeriu i erës quhej Karl Ljuis, ndërsa sot i takon ky epitet më të shpejtit në botë. Xhamajkani Usain Bolt fitoi garën e 100 metrave në mitingun ndërkombëtar të atletikës në Montekarlos, me kohën e shkëlqyer 9”88, veçse duke mbetur plot 30 të qindat larg rekordit të tij botëror. Kampioni olimpik nuk u nis mirë dhe iu desh në sforcim në fundin e garës për të mposhtur patriotin e tij Nesta Karter, që arriti kohën më të mirë në karrierë, 9”90, duke lënë të tretin amerikanin Majkëll Roxhers me 9”96.

Bolt e arriti kohën e tij rekord, 9”58 në vitin 2009 në kampionatin botëror në Berlin të Gjermanisë, ndërsa do të përpiqet ta mbrojë titullin e tij në botërorin që fillon më 27 gusht në Daegu të Koresë së Jugut.

Në garat e tjera, amerikania Feliks u mund në garën e 200 metrave nga patriotja e saj, Xheter, ndërsa keniania Rudisha fitoi garën e 800 metrave me kohën 1’42”61. Në kërcim së larti, kroatja Blanka Vlasiç duket se po kthehet në formë pasi fitoi me rezultatin jo aq të shkëlqyer 1 metër e 97 centimetra. Ky rezultat u arrit vetëm pak orë pasi rusja Çiçerova arriti rezultatin e dytë më të mirë të të gjitha kohëve në këtë garë, me 2 metra e 7 centimetra, vetëm dy centimetra më pak se rekordi botëror që mbahet nga bullgarja Stefka Kostandinova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›