Han: Dua fitore sepse ëndërroj vendin e katërt
Jetmir Halilaj
Tani mund të ishte trajneri i Hungarisë, pasi edhe federata e këtij vendi i ofroi postin e trajnerit të Kombëtares një vit më parë, por Ari Han zgjodhi Shqipërinë. Ai nuk është penduar për zgjedhjen që ka bërë, madje ka ndezur akoma më shumë atmosferën, teksa ka thënë për mediat hungareze se vetëm fitorja do të kënaqte në ndeshjen e së shtunës në mbrëmje. Në një intervistë të dhënë për magyarhirlap.hu, trajneri i kuqezinjve ka thënë ka folur edhe për derbin holandez me Ervin Kumanin si dhe për të ardhmen përfaqësueses kuqezi.
E pazakontë, jeni grumbulluar një javë para për ndeshjen kundër Hungarisë dhe vihet re se po punoni shumë për këtë ndeshje. Kaq i rëndësishëm është takimi kundër Hungarisë?
Sigurisht që është e rëndësishme, madje shumë. Në lidhje me grumbullimin, ende nuk e njoh si duhet skuadrën dhe ndaj vendosa ta grumbulloj shumë shpejt. Më pëlqen shumë ky qytet dhe kushtet që na janë ofruar janë shumë të mira. Kjo na ndihmon që të punojmë më mirë. Shpresojmë që të marrim një rezultat të mirë të shtunën.
E mbani mend që edhe ju keni pasur një ofertë nga Federata hungareze për t’u bërë trajner i skuadrës tonë (Hungarisë)?
E mbaj mend, por nuk ndodhi asgjë. Unë kam qenë në kontakte me Federatën tuaj një vit më parë dhe mund të kisha nënshkruar, por për disa arsye gjithçka ndryshoi. Më pas kërkesa e shqiptarëve ishte më joshëse dhe ndaj nuk e zgjata shumë për të vendosur.
Më thoni të vërtetën: A besoni se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krye edhe pas këtyre dy ndeshjeve?
E kam thënë edhe më parë se ne gjithnjë do të përpiqemi të marrim maksimumin në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari. Në dy ndeshjet e para e kemi treguar këtë gjë. Jam i kënaqur që barazuam me suedezët dhe që mundëm Maltën. Sigurisht, jam i lumtur me katër pikët që kemi marrë, shpresoj që të grumbullojmë sa më shumë pikë në këtë kompeticion. Për këtë do të na duhet të marrim tri pikë edhe ndaj Hungarisë dhe unë jam i bindur se me pak fat mund ta arrijmë edhe këtë objektiv.
Pra po thoni se e ëndërroni një gjë të tillë?
Jo, tamam kështu. Ne jemi realistë dhe i marrim gjërat me radhë. Megjithatë duke parë kundërshtarët dhe mënyrën se si po ecin gjërat, jam i bindur se vendi i katërt është më se i arritshëm. Mendoj se gjithçka mund të ndodhë, por jam i ndërgjegjshëm se favoritët janë Portugalia, Danimarka dhe Suedia.