OKB miraton nismën serbe: Pavarësia e Kosovës në Hagë
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi dje pro nismës serbe, për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendosë nëse pavarësia e njëanshme e Kosovës nga Serbia është “në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
Votimi në 192 vendet e Asamblesë së OKB-së mbi rezolutën serbe pati 77 vota në favor, 74 abstenime dhe gjashtë vota kundër. Lëvizja pritet të ngadalësojë integrimin e Kosovës në komunitetin botëror, pasi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, do t’i duhen të paktën dy vjet për të nxjerrë opinionin e vet. Duke paraqitur rezolutën, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e përshkroi atë si një detyrim i vendit të tij “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tij territorial nëpërmjet diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar”. Rezoluta vendosi t’i kërkojë Gjykatës së Hagës një opinion për pyetjen e mëposhtme: “A është deklarata e njëanshme e pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë në përputhje me ligjin ndërkombëtar”?. Aprovimi i tekstit serb nga Asambleja e Përgjithshme kërkonte thjesht një maxhoritet. Autoritetet në Kosovë shprehën keqardhje për vendimin e OKB-së. “Shprehim keqardhje që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar pro nismës serbe”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës. “Synojmë të marrim pjesë aktivisht në prezantimin e rastit tonë para Gjykatës Ndërkombëtare dhe presim që shqyrtimet e saj të jenë të drejta dhe të paanshme. Besojmë se do të rikonfirmohet pozicioni ynë”. Bashkimi Evropian nuk u paraqit unik në qëndrimin e tij gjatë votimit. Pjesa më e madhe e vendeve të BE-së abstenuan. Pro nismës serbe votuan Rumania, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Qipro, të cilat thanë se ligji ndërkombëtar duhet respektuar. Ambasadori i Britanisë në OKB, Xhon Sauers tha se ai kishte abstenuar pasi “kërkesa serbe ishte kryesisht politike sesa legale”. “Eshtë formuluar për të ngadalësuar shpejtësinë e Kosovës si një vend gjerësisht i njohur si i pavarur, për të luajtur rolin e tij në institucionet ndërkombëtare në botë”, shtoi ai. Rreth 48 vende, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë një opinion, i cili nuk është i detyrueshëm për t’u zbatuar.