E Diel, 1 Nëntor 2026

“Virgjëreshat e betuara”, tradita po zhduket në Shqipëri

 

ELENA BECATOROS

Drene Markgjoni ka kaluar 12 vite të jetës së saj në një kamp e dënuar me punë të rëndë, e ndëshkuar për përpjekjet e të fejuarit të saj për t’u larguar nga regjimi i Shqipërisë, në atë kohë një nga regjimet më represive dhe izoluese. Ajo u betua se nuk do të vuante më kurrë në atë mënyrë për ndonjë njeri tjetër. Ajo u zotua të hiqte dorë nga seksi dhe martesa për pjesën tjetër të jetës së saj dhe e deklaroi veten burrë. Kjo ndodhi gjashtë dekada më parë. Tani 85 vjeçe, me flokë të bardhë të prera shkurt, e veshur me një këmishë burrash me vija blu dhe pantallona të zeza, ajo i pret vizitorët me një shtrëngim dore burrëror. Mënyra se si ecën, gjestet e saj të prera, çdo gjë e saj është mashkullore. Vetëm zëri, i butë dhe femëror, e zbulon atë si një nga virgjëreshat e fundit të betuara në Shqipëri: Gratë që vishen, veprojnë dhe trajtohen si burra. “Jam më e lumtur kështu”, tha ajo, “Nuk më vjen aspak keq”. Në këtë shoqëri fuqimisht patriarkale, ku për shekuj të tërë gratë praktikisht nuk kishin të drejtë pozite, virgjëreshat e betuara kishin të njëjtat të drejta dhe respektoheshin si burrat. Ato mund të trashëgonin pronën, të punonin për të jetuar dhe të uleshin në këshillin e fshatit, edhe pse pa të drejtë vote. Privilegjet e kishin një çmim. Ato betoheshin për beqari dhe nuk duhet të kryenin kurrë marrëdhënie seksuale. Nuk duhet të ktheheshin kurrë më në gra.
* * *
Ato nuk janë figura zyrtare, por Antonia Young, një studiuese në universitetin “Bradford” në Britani, e cila e ka studiuar këtë praktikë për më shumë se një dekadë, vlerëson se kishte rreth 100 virgjëresha të betuara në fillim të viteve ‘90. Ky numër tani sigurisht që është shumë më i vogël, pasi zakoni dhe këto gra po zhdukeshin. Arsyeja për kthimin në një virgjëreshë të betuar mund të jetë praktike, kreu i familjes vdes pa lënë asnjë trashëgimtar mashkull. Apo mund të jetë emocionale, gruaja nuk do të martohet me burrin që kanë zgjedhur për të. Në Shqipëri, veçanërisht në zonat e varfra rurale të Veriut, ishte e pakonceptueshme që një grua të qëndronte beqare dhe të jetonte vetëm. Por duke u kthyer në burrë, Markgjoni ishte e lirë. Ajo mund të fitonte për të jetuar dhe të hante e të pinte me burrat, në vend që të mbyllej në kuzhinë. Dhe ajo mund të përdorte dy zakone, të cilat i ndaloheshin grave tradicionale shqiptare: Duhani dhe mbajtja e një ore. Ajo tha se ka punuar në karpentieri, fermë dhe në ndërtim kur ishte e re, kur me krenari thërriste, se mbante pllaka betoni sa për forcën e dy burrave. Markgjoni punon ende, megjithëse puna e saj është më pak e lodhshme fizikisht: prodhon tespihe për kishën e saj katolike në qytetin e saj verior, Shkodër.
* * *
“Kam pasur shumë më respekt nga njerëzit e mi, familja”, tha ajo. Zakoni i virgjëreshave të betuara rrjedh nga Kanuni, ligjet mesjetare të trashëguara gojarisht për breza të tëra, derisa u kodifikuan në fillim të shekullit të 20-të. Ai e kapërcen fenë, me virgjëreshat e betuara që dolën nga komuniteti maxhoritar mysliman si dhe minoriteti katolik dhe ortodoks. Në shoqërinë shqiptare të dominuar nga meshkujt, një grua nuk kishte asnjë të drejtë. Sipas Kanunit, “një grua njihet si një thes, e bërë për të duruar për sa kohë ajo jetonte në shtëpinë e burrit”. Ajo nuk mund të trashëgonte pronë dhe punët e saj ishin të limituara në edukimin e fëmijës dhe punët shtëpiake. Antropologët theksojnë se tradita e virgjëreshave të betuara, me theksin e beqarisë, nuk ka asnjë lidhje me homoseksualizmin, i cili nuk ishte legal në Shqipëri deri në vitet ‘90. “Eshtë një lloj e kundërte ekstreme”, tha Young. “Nga njëra anë, virgjëreshat e betuara e mbështesin patriarkalizmin, sepse ato mbështesin ndjesinë se duhet të jesh një mashkull në kokë dhe kjo grua mund të jetë një mashkull”. Nga ana tjetër, thekson Young, “Kjo do të ishte tjetër gjë për një grua që ka prirje homoseksuale. Në traditë vendimi për t’u kthyer në një virgjëreshë të betuar u ndez nga arsye sociale si mospasja e meshkujve mjaftueshëm në familje, por së fundmi ajo është kthyer në një zgjedhje të grave”, tha Young.
* * *
Me një zë të thellë dhe një krekosje të dallueshme, Diana Rakipi, një roje sigurimi në një klinikë në qytetin bregdetar të Durrësit, shpjegoi se ajo gjithmonë kishte pasur një pamje mashkullore. Rakipi, 54 vjeçe, e cila e këmben kapelën e rojës së sigurisë për një beretë ushtarake kur nuk është në uniformë, nuk është ndjerë kurrë si një vajzë. “Unë nuk kam veshur kurrë fund”, tha ajo gjatë orarit të pushimit. Nuk më ka imponuar njeri ta bëj këtë, askush nuk më ka thënë të vesh këto rroba. Unë zgjodha kështu”. Familja e saj ortodokse e ka pranuar vendimin e saj dhe që atëherë ajo ka gëzuar respektin e komunitetit dhe të afërmve. “Askush nuk guxon të më pyesë pse nuk martohem”, tha ajo “Unë konsiderohem numri një në familjen time”. Kjo është gjenerata e fundit e virgjëreshave të betuara, sipas Afërdita Onuzit, profesoreshë në Institutin Antropologjik dhe kërkimeve të artit në Tiranë. Në Shqipëri këto ditë, gratë janë në parlament, drejtojnë ministri dhe forca policore.
* * *
Kur Qamile Stema ishte fëmijë, kishte dy virgjëresha të betuara në Barkanesh, një fshat i vendosur në kodrat e Krujës. Stema, më e vogla e nëntë vajzave, vendosi të qëndronte dhe të kujdesej për nënën e saj, kur tre motrat më të mëdha që mbijetuan u martuan dhe u zhvendosën. Tani 88 vjeçe, e veshur me pantallona të varura dhe jelek të zi mbi këmishën e saj dhe me qeleshen tradicionale të leshtë të meshkujve myslimanë veriorë, Stema është virgjëresha e fundit e Barkaneshit. Ajo ka jetuar një jetë më të lirë, por të vetmuar. “Unë kam biseduar me burra të tjerë, kam udhëtuar me burra të tjerë, madje edhe që i ngacmonin gratë”, tha ajo. “Edhe unë kam shkuar në festa, kam kërcyer si burrë”. Ajo ka respektin e patundur të familjes së saj dhe nuk ka keqardhje. “Unë vendosa të mos martohem kurrë dhe nuk ankohem për këtë vendim”, tha ajo. “Veçanërisht ditët e sotme, të gjithë pleqtë janë të vetmuar. Unë jam vetëm. Por nuk ankohem. Sepse fëmijët e tyre janë larguar dhe ata tani nuk janë më ndryshe nga unë, pra çiftet”.
(Marrë nga Associated Press)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›