SHBA, debati i dytë presidencial, fiton Obama
Kandidatët presidencialë Barak Obama dhe Xhon Mekein u përballen në debatin e dytë televiziv me fokus problemet ekonomike. Obama ka fajësuar administratën Bush për krizën. Ai tha se SHBA po përjetojnë një krizë më të rëndë financiare se në kohën e “Depresionit të Madh”. Obama premtoi zvogëlimin e taksave për klasën e mesme. “Klasa e mesme ka nevojë për një paketë shpëtimi. Kjo do të thotë shkurtim taksash për shtresën e mesme, çfarë do ta bëjë të mundur që ky grupim të mund të qëndrojë në shtëpitë e veta. Me këtë nënkuptohet ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale që të fillojnë projekte rrugësh e urash, që do t’i lejojnë njerëzit të kenë punë”, tha kandidati demokrat Obama. Ndërsa rivali republikan, Xhon Mekein paraqiti qëndrimet e tij për zgjidhjen e krizës ekonomike. “Nëse zgjidhem president, do të urdhëroj Departamentin e Thesarit të blejë kreditë e dështuara dhe t’i rinegociojë ato për të ndihmuar pronarët e shtëpive në vështirësi”, tha ai. Në politikën e Jashtme, Obama kritikoi qëndrimin në Irak, ndërsa Mekein ngriti pikëpyetje serioze lidhur me deklaratat e Obamës, se është i gatshëm të sulmojë terroristët në Pakistan pa miratimin e Islamabadit. Pas debatit sondazhet televizive nxorën fitues Obamën.