Proteston bashkia: Ministria e Arsimit na mori 80 objekte
FIER - Kalimi i godinave të kopshteve, çerdheve dhe institucioneve të tjera arsimore për menaxhim nga Ministria e Arsimit i hap rrugën mosmarrëveshjeve me pushtetin vendor në lidhje me investimet dhe mirëmbajtjen e tyre mes pushtetit vendor dhe mistrisë përkatëse. Shefi i departamentit juridik në bashkinë e Fierit, Luan Çala, nuk e kundërshton këtë veprim parë në aspektin juridik se sa në aspektin praktik. “Ishin 834 objekte, të cilat i përkisnin bashkisë dhe ato u dërguan të gjitha pa përjashtim pranë Ministrisë së Brendshme, me qëllim që të na hapej drita jeshile për të nisur nga privatizimet, sepse pjesa dërrmuese e tyre po qëndrojnë objekte të ngrira, duke u rrënuar nga infrastruktura çdo ditë e më shumë për shkak të agjentëve atmosferikë”. Sipas Çalës, edhe pse u prit për disa muaj, lista mbërriti e cunguar, pasi ishin hequr 80 objekte. Pjesa dërrmuese e tyre janë godina të kopshteve, çerdheve, spitale, sheshe të lira etj. “Ne nuk kemi ndërmend të kundërshtojmë këtë vendim të ministrisë, sepse jemi thjeshtë zbatues, por kjo procedurë na heq kompetencat dhe na vë përballë vështirësive”, pohon ai. Sipas drejtorit juridik, nuk ka kuptim që godina të jetë në pronësi të ministrisë në një kohë që për këto kujdeset bashkia me fondet e veta. “Një pjesë e mirë e shesheve do të jetë në pronësi të ministrisë dhe do t’i menaxhojmë ne si bashki, duke bërë në këtë mënyrë edhe kalimin e kompetencave, gjë që na prek direkt ne si institucion. Një pjesë e mirë e godinave arsimore duhet që të kalojnë në varësi të bashkisë, pasi ato janë pronë e Bashkisë Fier, megjithë komponentët e tyre të administrimit dhe nuk është aspak normale që ato të jenë jashtë kësaj bashkie”. Mësohet se bashkia i ka dërguar një notë proteste Këshillit të Ministrave, duke i kërkuar kthimin mbrapsht të godinave të kopshteve dhe çerdheve, pasi në të kundërt bashkia nuk do të ketë mundësi të investojë asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e tyre. m.r