E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u mundëm 12-0 në 1950 nga Hungaria

 

Shqipëria shpreson që të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e së shtunës kundër Hungarisë, madje trajneri, kapiteni apo edhe lojtarë të tjerë kuqezinj ëndërrojnë edhe fitoren. Megjithatë, nuk duhet harruar fakti se në stadiumin ku do të luhet ndeshja të shtunën, Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbjen e saj më të thellë në histori, 12-0. Ishte një ndeshje miqësore, fatkeqe për kuqezinjtë e drejtuar asokohe nga trajneri Bik Jakova. Në atë ndeshje (24.09.1950), portierëve të famshëm si Qemal Vogli apo Sulejman Maliqati iu desh të përballeshin me “falangën” hungareze të udhëhequr nga Pushkash dhe shokët e tij, që në atë periudhë i kishin futur tmerrin gjithë skuadrave evropiane. Kuqezinjtë bënë një rezistencë prej 18’ minutash, por më pas mbrojtja shqiptare u thërrmua nga hungarezët, të cilët shënuan jo pak, por 12 herë në portën shqiptare duke i shkaktuar Kombëtares tonë humbjen më të thellë në gjithë historinë e saj, rekord negativ që për fat të mirë Shqipëria nuk e ka thyer më që prej asaj kohe. Tetë gola i pësoi Vogli. Pushkash shënoi 2, Budai (2), Kocis (2), Palotash (2), ndërsa katër të tjerët i pësoi Maliqati, i cili u fut në fushë në minutën e 53-të. Shqipëria kthehet në stadiumin e “ferrit” pas 58 vjetësh, por këtë radhë me shpresën për t’u hakmarrë ndaj hungarezëve, që kanë vulosur rekordin “e zi” në historinë e përfaqësueses kuqezi. Sot stadiumi i Budapestit, mban emrin e më të madhit futbollist hungarez të të gjitha kohërave, ai që i pat shënuar Shqipërisë dy gola në atë miqësore shkatërrimtare, “Ferenc Pushkash”. Ai ka një kapacitet prej 68.976 vendesh të ulura. Punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1948 dhe kanë përfunduar në vitin 1953. Stadiumi është ndërtuar nga ushtria dhe në vitet e mëvonshme ka pësuar ndryshime të shpeshta. Takimi mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të luhet të shtunën në orën 19.45. Kjo do të jetë ndeshja e tretë e kuqezinjve e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Afrika e Jugut 2010”.       j.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›