Shpronësimet e unazës, 14 familje në gjykatë
SHKODER – Bllokohen punimet në unazën e qytetit të Shkodrës derisa të përfundojë gjyqi i 14 familjeve që nuk janë dakord me vlerën e shpronësimit. Çështja ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 500 metrat e fundit në këtë segment, duke lënë peng investimin më të madh që po bëhej në infrastrukturën e qytetit. Vazhdimisht, banorët që preken nga ky ndërtim kanë kundërshtuar zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të dhjetorit të vitit 2007, sipas të cilit çmimi i vlerës së tokës, ku do të kalojë unaza, është përcaktuar të jetë në vlerën e 4500 lekë m2. Ndërkohë, banorët vazhdojnë të kërkojnë kompensimin e tokës në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të 25 shkurtit të këtij viti, ku pas publikimit të hartës të vlerës së tokës, rezulton që çmimi në zonën ku kalon ndërtimi i unazës kap vlerën e 21.500 lekë m2. Pasi i kanë provuar të gjitha dyert e pushteteve lokale dhe qendrore në Shkodër dhe në Tiranë, për ta shpresa e vetme është gjykata, si i vetmi institucion që ka të drejtën e korrigjimit të vendimit të Këshillit të Ministrave. r.d