Mekein: “Nëse fitoj, do të reduktoj arsenalin bërthamor”
Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale, Xhon Mekein, është shprehur se do të reduktojë arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara, nëse zgjidhet president. Në një fjalim në qytetin Denver të shtetit Kolorado, Mekein tha se SHBA-të duhet të marrin rolin udhëheqës në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore në të ardhmen. Ai shtoi se veprimet ushtarake duhen ndërmarrë, vetëm kur janë shterur masat e tjera në të kundërt duhen parë zgjidhjet e duhura.
KINË
Përmbytja, evakuohen 160 000 persona
Gati 160 000 njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre, në provincën Siçhuan, në juglindje të Kinës, pas ngritjes së nivelit të liqenit artificial të krijuar nga tërmeti i 12 majit. Nëse liqeni shpërthen, rreth 1.3 milionë njerëz nga komuna Mianyang do të duhet të braktisin shtëpitë e tyre. Pas tërmetit janë krijuar 35 liqene, në mesin e të cilave më i rrezikshmi është pikërisht ky në Tangjiashan. Autoritetet kineze janë shprehur se situata në vend është tepër emergjente.
OKB
Hetohen akuzat për keqtrajtimet e të miturve
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka bërë të ditur se akuzat nga organizatat humanitare për fëmijë, se paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara janë të përfshirë në keqtrajtimet seksuale të fëmijëve do të hetohen. Në raportin më të ri të organizatës britanike, “Save Children”, përshkruhet një varg krimesh seksuale të kryera kundër fëmijëve nga paqeruajtësit dhe punëtorët ndërkombëtarë humanitarë. Ky raport mbështetet në hulumtimet që janë bërë në Sudan, në Bregun e Fildishtë.
Afrika e Jugut
Strehim në kampe për 70 000 refugjatë
Vendimi është marrë nga qeveria, pavarësisht paralajmërimeve kundër ngritjes së këtyre kampeve nga agjenci ndërkombëtare të respektuara të ndihmës. Në këto kampe do të strehohen 70 mijë vetë, të cilët për momentin po qëndrojnë në rajone policie dhe ndërtesa të bashkisë. Autoritetet të vendeve të tjera janë shprehur se ekziston shqetësimi Afrika e Jugut nuk ka ekspertizën e duhur për të menaxhuar kampe të tilla, pasi ka shumë gjasa që këto kampe të kthehen në kampe refugjatësh.
29 Maj 2008