E Diel, 1 Nëntor 2026

Nacionalistët dhe socialistët, marrëveshje për Beogradin



Nacionalistët serbë dhe aleatët e partisë së ish-presidentit Sllobodan Milosheviç, kanë nënshkruar gjatë ditës së djeshme një marrëveshje për qeverisjen e Beogradit, duke bërë që kryebashkiaku i kryeqytetit t’i përkasë të djathtës ekstreme. Marrëveshja ndërmjet radikalëve ultranacionalistë, socialistëve të Millosheviçit dhe koalicionit popullor të Koshtunicës do t’i largojë demokratët properëndimorë nga pushteti pas më shumë se 10 vjetësh. Nuk është e qartë nëse marrëveshja mund të përsëritet edhe në nivelin qendror. Negociatat kishin nisur që pas zgjedhjeve të 11 majit. Aleksandër Vuçiç një zyrtar i lartë i radikalëve pritet të jetë kryebashkiak i Beogradit. Ky post konsiderohet i treti për nga rëndësia pas atij të presidentit dhe kryeministrit. Vuçiç ka qenë ministër Informacioni në qeverinë e Millosheviçit në fund të viteve 90’, kohë kur nga vendi u dëbuan shumë gazetarë të huaj.

Ahmeti: “Do të tërhiqem nëse nuk fitoj zgjedhjet”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë dhënë BBC-së është shprehur se nëse partia e tij do të humbasë në zgjedhjet e së dielës, ai si akt moral do te lëre postin e kryetarit të kësaj partie. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të një qershorit u iniciuan nga partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, iniciativë e cila u mbështet edhe nga maxhoranca parlamentare. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti thotë se iniciativa u ngrit për shkak të mosfunksionimit të institucioneve kryesore të vendit, parlamentit dhe qeverisë. Sipas Ahmetit, dy organizmat kryesorë të vendit, nuk kishin kapacitet që të zgjidhnin problemet e rëndësishme politike, ekonomike, si dhe ato për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i dënon incidentet që ndodhën gjatë fushatës zgjedhore dhe thotë se ato janë të nxitura nga ato që ai i quan qendra antishqiptare, dhe shpreson se të dielën, në ditën e votimeve, nuk do të ketë incidente. Kryetari i BDI-së, shprehet se shqiptarët në qeverinë e re e cila do të formohet pas zgjedhjeve, duhet t'i përfaqësojë partia e cila do të dalë fitimtare në mesin e votuesve shqiptarë.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›