Han: “Me Maltën, si kundër Lihtenshtejnit”
Përherë një diplomat. Ari Han kërkon falje për vonesën në konferencën e shtypit (“Ishim për shëtitje, është një mënyrë shqiptare”, - thotë ai), por nuk tregon kurrë formacionin që do të hedhë në fushë. Ashtu sikundër Suedisë së fortë, njëlloj edhe kundër Maltës së dobët. “Të jeni të sigurt se do të luaj me një sulmues. Emri? Kam ende edhe një seancë stërvitore. Mund të jetë Salihi, Bogdani apo Kapllani? Kjo do të vendoset më vonë, por unë e kam 99 për qind formacionin në kokë”.
Harroni Suedinë
“Suedia mbetet sërish tema e parë e konferencës. “Kemi luajtur një lojë të disiplinuar. Tani vjen Malta. Do të jetë një ndeshje komplet tjetër. Luajtëm kundër Suedisë, e 31-ta në ranglistën botërore (të FIFA-s). Bëmë një lojë mbrojtëse në fushën tonë. Nuk e njihja shumë ekipin për të ditur se në ç’nivel ishte skuadra. Kundër Maltës është një ndeshje tjetër, pra do të jemi në ata që do të sulmojmë. Kundërshtari unë ka të ngjarë të jetë një skuadër që edhe mund të luajë me 8-9 lojtarë në mbrojtje. Kështu që duhet të përpiqemi të krijojmë raste për të shënuar të paktën një gol. Sigurisht, që nuk do të jetë e lehtë. Në çdo rast atmosfera te ne është e mirë. Skuadra e di se për çfarë bëhet fjalë”
Jo e lehtë
“Morëm një rezultat të mirë kundër Suedisë (0-0), por ky rezultat nuk vlen kundër Maltës. Për këtë arsye e konsideroj ndeshjen kundër Suedisë si të kaluar. Një gjë është e sigurt. Presim të marrim maksimumin kundër Maltës (tri pikët). Ne e dimë se me cilët do lojtarë do të luajmë kundër Maltës dhe çfarë skuadre është ajo. Trajneri i tyre ka përdorur shumë lojtarë. Unë e di se në çfarë mënyre luan Malta, por nuk e di se kush do të luajë. Do të bëjmë një lojë tërësisht sulmuese, por mbrojtja jonë nuk duhet të humbasë vëmendjen. Të njëjtën skemë ne e kemi aplikuar në stërvitje. Do të bëjmë të njëjtën lojë sulmuese si kundër Lihteshtejnit”.
Një sulmues
Edhe pse u fol se Han mund të hidhte në fushë dy sulmues, holandezi e përjashtoi këtë pistë. “Ta keni të qartë. Do të luaj me një sulmues. Të bësh lojë ofensive, nuk do të thotë të luash me dy sulmues apo më shumë. Lojë ofensive do të thotë të luash me shumë lojtarë që kanë cilësi sulmuese. Edhe Holanda luan lojë ofensive, por ka vetëm një sulmues të deklaruar, numrin 9. Unë kërkoj një skuadër në zonën e rreptësisë dhe të lëvizë shumë në sektorin e avancuar”. Shqipëria historikisht e ka pasur të vështirë të bëjë dy ndeshje të mira radhazi. “Natyrisht, që e kam dëgjuar këtë. Menjëherë pas ndeshjes kundër Suedisë, në dhomat e zhveshjes kam folur në mënyrë individuale dhe i kam tërhequr më pas vëmendjen skuadrës se ndeshja kundër Suedisë përfundoi dhe e gjithë vëmendja do të jetë ndaj Maltës. Një mbrëmje na lejohet ta shijojmë, por pastaj na pret puna për t’u përgatitur psikologjikisht e fizikisht kundër Maltës. Ndoshta nuk do të jenë të njëjtët lojtarë”. I pyetur nga gazetarët se nëse e mendon edhe humbjen, Han u përgjigj kategorikisht. “Jo. Kurrë!”.
E 101-ta kundër Shqipërisë
Ndeshja kundër Shqipërisë është e takimi i 101-të ndërkombëtar i përfaqësueses së Maltës, ku pesë prej tyre janë kundër Shqipërisë. Aventura “miqësore” e Maltës kundër Shqipërisë nis pikërisht më një fitore 2-1, në takimin parë të zhvilluar në vitin 1995. Përballjet vazhdojnë me 1-1 (1998), e më pas tri humbje rresht: 0-1 (2000), 0-3 (2000) dhe 0-3 (2007). Bilanci i Shqipërisë është i pasur edhe me statistika të tjera: 9 gola të shënaur, 3 të pësuar.
Shqipëria me Maltën
16.08.1995/ Tr.: Neptun Bajko
Maltë-Shqipëri 2-1 (Miqësore)
Shënues: Bushi
06.02.1998/ Tr.: Astrit Hafizi
Maltë-Shqipëri 1-1 (Kupa Rothmans)
Golat:Shulku
10.02.2000/ Tr.: Medin Zhega
Maltë-Shqipëri 0-1 (Kupa Rothmans)
Shënues: Sinani
15.11.2000/ Tr. Medin Zhega
Shqipëri-Maltë 3-0 (Miqësore)
Shënues: R.Vata, Bogdani (2)
22.08.2007/ Tr.: Oto Bariç
Shqipëri-Maltë 3-0 (Miqësore)
Shënues: Salihi, B.Berisha, K.Duro
Bilanci: 5 takime; 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje. Golat: 9-3
Grupi 1
06.09.2008
Shqipëri-Suedi 0-0
Hungari-Danimarkë 0-0
Maltë-Portugali 0-4
10.09.2008
Suedi-Hungari
Portugali-Danimarkë
Shqipëri-Maltë
11.10.2008
Hungari-Shqipëri
Danimarkë-Maltë
Suedi-Portugali
Ekipi P
Portugalia 3
Shqipëria 1
Danimarka 1
Hungaria 1
Suedia 1
Malta 0
Djali Hanit, “spiuni” kundër Maltës
Kur Ari Han tha në konferencën e tij për shtyp se e njihte shumë mirë lojën e Maltës po aq sa të Suedisë, ndaj së cilës mori një barazim 0-0 të merituar, trajneri i Shqipërisë kishte në bllokun e tij të shënimeve shumë detaje të kundërshtarit të radhës. Ditën që Shqipëria i mohoi fitoren Suedisë e Ibrahimoviçit, një i dërguar special i tij ndiqte “live” nga stadiumi “Ta’Qali” takimin Maltë-Portugali (0-4). Dhe ky skauter nuk ishte askush tjetër përveç djalit të tij 33-vjeçar, Advin Hanit. “Po, unë ndoqa takimin Maltë-Portugali. Sigurisht që këtë detyrë ma ngarkoi babai im, Ari Han, në marrëveshje edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë duhet të shihja kundërshtarin, pavarësisht se kisha dëshira të shihja Shqipëri-Suedi. I kam dhënë atij informacionet e nevojshme për të përgatitur ndeshjen kundër Maltës. Gjithsesi, është vështirë të nxjerrësh një konkluzion për Maltën, pasi Portugalia është një ekip shumë i fortë. Unë mendoj se Malta ka disa lojtarë të mirë. Ua kam frikën atyre. Numri 9 (Mifsud) dukej shumë mirë. Kundër Portugalisë, nuk ishte shumë i fuqishëm, por dukej që luante shumë mirë futboll”, - thotë Hani Junior, i cili ka luajtur edhe vetë futboll deri të niveli i të rinjve. “Nuk është hera e parë që e bëj këtë punë”, - shton Advin, i cili vjen për herë të dytë në Shqipëri, pasi një qëndrimi të mëparshëm 2-3 ditor para tre muajsh. “Gjithmonë për punë. Kam parë shumë lojtarë. Skelën të Energi Kotbus vitin e kaluar. Ishte në ditët më të mira të tij. Shpëtoi ekipin nga rënia nga Bundesliga. Një tjetër është Lorik Cana. Lojtar i madh. Unë e pëlqej atë. Të të kërkojë Bajerni i Munihut nuk është pak, duhet të jesh më të vërtetë i lojtar i fuqishëm. Njoh shumë mirë Lalën. Në Shqipëri nuk kam parë ndonjë ndeshje të kampionatit, por me këtë merret federata juaj dhe e di se kush është i mirë”.
10 Shtator 2008