Nëndrejtori i QSUT-se: ”Operacionet janë shtyrë për shkak të krizës së ilaçeve”
Emanuela Sako
QSUT-ja ende nuk ka filluar nga kryerja e operacioneve të parashikuara për në shtator. Madje nuk ka asnjë afat zyrtar se kur do të rinisin përsëri operacionet e planifikuara. Për këtë çështje, drejtori Mjekësor dhe njëkohësisht nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini, u shpreh se ndërhyrjet kirurgjikale do të nisin së shpejti, pa dhënë një datë të caktuar. Ndërkohë që dhjetëra pacientë presin në radhë për të kryer operacionet e planifikuara që në fillim të muajit korrik, koha kur u ndërprenë operacionet. Situata në QSUT është emergjente, sepse furnizimi me barna është i domosdoshëm, por ata që janë në vështirësi janë pacientët, të cilët presin që të njoftohen nga mjekët për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Për rastet e mungesave në medikamente Draçini ua ka lënë fajin paraardhësve të tij, duke u shprehur se situata jonormale është pasojë e administrimit joeficent të procedurave të prokurimit të medikamenteve.
Furnizimi
Sipas Draçinit, për rastet emergjente janë marrë barna nga tre spitale, të cilat do të shërbejnë deri në furnizimin e parashikuar nga tenderi. Shumica e medikamenteve janë marrë nga spitali obsetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Ushtarak etj., të cilat kanë furnizuar vazhdimisht QSUT-në në përballimin e rasteve të urgjencave që janë paraqitur gjatë gjithë këtyre muajve. Madje Drejtoria e QSUT-së po siguron ndihma të tjera nga qendrat shëndetësore për furnizimin e urgjencave në këtë qendër spitalore. Zyrtarët e QSUT-së kërkojnë ndjesë për situatën e krijuar, ndërkohë që janë dhjetëra pacientë në pritje për t’iu nënshtruar operacioneve të planifikuara nga mjekët.
Situata
Situata në spitalet tona mbetet e njëjtë, pasi ende nuk është bërë zhbllokimi i barnave që do të shpërndahen në spitale pas kryerjes së tenderave. Mjekët e QSUT-së shprehen se ende nuk është bërë shpërndarja e barnave në spitale, ndërsa pritet të vijë furnizimi i menjëhershëm, i cili do të përmirësonte disi situatën e qendrës më të madhe spitalore në vend. Kështu, për të zënë radhën e operacioneve në QSUT, pacientët duhet të jenë në gjendje mjaft të vështirë për jetën, që të futen në një sallë operacioni.
Reformë në QSUT, shkurtohen nga puna 15 punonjës të administratës
Drejtoria Spitalore e QSUT-së, drejtuar nga Gjeorgjina Kuli, ka shkurtuar nga puna 15 punonjës të administratës. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur se vala e shkurtimeve pritet të vazhdojë për shkak të numrit të lartë të punonjësve në këtë administratë. Pak ditë më parë, drejtoresha e QSUT-së deklaroi se administrata është tepër e fryrë përsa i përket numrit të punonjësve. Të pezulluarit nga puna janë punonjës parkingu, kaldajistë etj. Të gjithë punonjësit e pezulluar nga puna janë marrë në detyrë nga ish-drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, i cili pak muaj para largimit të tij ka punësuar persona të tjerë, duke shtuar organikën e QSUT-së. Ndërkohë që numri i të larguarve nga puna pritet të jetë deri në 140 punonjës. Ndërsa pritet që në ditët në vazhdim të ketë të tjera largime. Zyrtarisht organika e re e QSUT-së do të vendoset në muajin mars nga Ministria e Shëndetësisë. Por këtë herë organika e QSUT-së do të ketë valë shkurtimesh, ndryshe nga shtimi i organikës që bëri ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.
Fondi i Ekselencës, përzgjidhen 19 kandidatë për doktoraturë dhe pasdoktoraturë
Rreth 17 kandidatë për studime doktorature dhe 2 për studime pasdoktorature janë përzgjedhur për të përfituar këtë vit nga Fondi i Ekselencës, FONDEX. Përfituesit e këtij fondi janë studentë që kryejnë studimet e doktoratës jashtë vendit, shkencëtarë të rinj për studimet e pasdoktoratës jashtë vendit, studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare dhe studiues me botimet e tyre me nivel të lartë shkencor. Në kuadër të FONDEX është vendosur fondi i posaçëm prej 100 milionë lekësh për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj që duan të studiojnë në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues detyrimisht duhet të kthehen në Shqipëri për 5 vjet dhe të kontribuojnë me dijet e tyre në atdhe. Një vit më parë nga ky fond përfituan mbi 25 studiues të rinj shqiptarë. Fushat kryesore të aplikimit për FONDEX janë Shkencat Sociale dhe Albanologjike, Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit, Biodiversiteti dhe Mjedisi, Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjitë, Shëndeti, Uji, Energjia dhe Materialet.
10 Shtator 2008