E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxitja e punësimit, prioritet punësimi i grave dhe vajzave



Rreth 400 gra dhe vajza në nevojë në Tiranë janë punësuar në kuadrin e “Programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë femra”. Sipas sektorit të nxitjes së punësimit në zyrën rajonale të punës në kryeqytet, punësimi i grave dhe vajzave, pjesëmarrëse në këtë program, është kryer në pesë subjekte private, të cilat e ushtrojnë aktivitetin prodhues në këpucari (ku janë punësuar rreth 260 gra dhe vajza) dhe rrobaqepësi (ku janë punësuar rreth 140 të tjera). Programi, që do të zgjasë tre vjet, po mbështetet me 50 për qind të fondit të përgjithshëm të programit të punësimit prej 120 milionë lekë. Ministria e Punës, po realizon këtë program, duke mbështetur bizneset punëdhënëse me anën e subvencionimit, në përqindje të kostove për sigurimet e detyrueshme, të pagës dhe kreditimin për pajisjen e vendit të punës. Edhe për këtë vit “Programi i nxitjes së punësimit të punëkërkueseve të papunë femra” parashikon mbështetjen me paga në nivelin e pagesës minimale, duke filluar me katër paga mujore në vitin e parë dhe me tetë paga në vitin e tretë, kohë kur do të përfundojë projekti.

Aksidentet rrugore zënë vend të parë për rastet e traumës

Aksidentet automobilistike zënë vendin e parë në rastet e traumës, ose e thënë ndryshe, në rastet e të gjithë aksidenteve të ndryshme. Në rastet e aksidenteve rrugore ndikojnë faktorë të ndryshëm, në periudha të ndryshme kohore. Sipas një studimi të specialistëve të Qendrës Kombëtare të Traumave, në Shqipëri historikisht kanë ndryshuar shkaktarët dominues të traumave. Në kohën e diktaturës komuniste një nga shkaktarët kryesorë ishin aksidentet në punë, kryesisht në miniera, ndërsa në vitet e para të demokracisë u rritën dëmtimet me armë zjarri. Sot vendin e parë e zënë traumat automobilistike. Në vitin 2007 kanë pësuar vdekje nga trafiku rrugor 384 (295 meshkuj dhe 89 femra). Por trauma ka edhe faktorin tjetër ndikues në shoqëri, atë ekonomik. Ky tregues llogaritet si kontribut që çdo individ i humbur në aksident do të kishte dhënë gjatë jetës së tij nëse do të ishte gjallë, në formën e taksave për buxhetin.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›