E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, maturantët fitues të gjimnazeve publike dhe private të Tiranës



Jonida Tashi

Shpallen zyrtarisht rezultatet përfundimtare të fituesve në të gjitha universitetet në vend. Ditën e djeshme të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend kanë afishuar listat e fituesve në çdo shkollë të mesme. Gjithashtu, afishimi i listave të fituesve është bërë në të gjitha fakultetet e vendit. Gazeta “Albania” po boton sot listën e plotë me rezultatet përfundimtare për pesë fakultetet e Universitetit Politeknik. Gjithashtu, në specialen e gazetës për fituesit e universiteteve, ju do të gjeni rezultatet përfundimtare të maturantëve për të gjitha gjimnazet e kryeqytetit, publike dhe private. Në këtë speciale janë botuar edhe fituesit për 24 degët e Akademisë së Arteve. Për të 200 programet e studimit, maturantët renditen sipas pikëve në ato programe që kanë kërkuar. Nëse hyn në grupin e fituesve, në varësi të kuotave të atij programi studimi, merret në konsideratë preferenca më e lartë. Më konkretisht, një maturant me 6300 pikë është fitues në të dhjetë preferencat që ka kërkuar, por ai do të shpallet fitues në preferencën e tij të parë. Nëse me pikët e grumbulluara, një maturant është fitues në preferencat 3, 6, 9 ai shpallet fitues në preferencën 3. Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen universiteteve, në datën 25 shtator 2008 nga Ministria e Arsimit. Brenda kësaj dite, këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse.
Udhëzimi
Pas shpalljes së listave të fituesve në universitetet publike, në fakultete kanë nisur regjistrimet. Për këtë proces MASH-i publikon udhëzimin për pranimin e studentëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2008-2009, i cili do të bëhet sipas listave emërore, të renditura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL, pranë MASH-it. Ashtu si edhe një vit më parë, kandidatët fitues do të përcaktohen nga APRIAL në bazë të parimit Meritë-Preferencë (MeP): Parimi i meritës: sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të “Maturës Shtetërore” me detyrim dhe me zgjedhje e për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar; Parimi i vullnetit (preferencës) të kandidatëve i shprehur nëpërmjet parapëlqimit nga ata vetë për programet e studimit, me zgjedhjen e 10 preferencave në formularin A2. Sipas Udhëzimit të MASH, të gjitha IAL duke filluar nga data 9 shtator 2008, duhet të kenë të afishuara listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse. I gjithë procesi i regjistrimit do të monitorohet nga MASH dhe administrata e rektorateve.
Regjistrimi paraprak
Regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentëve të pranuar në IAL do të zhvillohet në dy faza: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17 shtator 2008 prej orës 08:00 deri në orën 18:00. Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
Dëftesë pjekurie origjinale; Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë (Numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës). Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë-regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë i vulosur. Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.
Regjistrimi përfundimtar
Listat përfundimtare e kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do tu dorëzohen IAL-ve, në datën 25 shtator 2008 nga MASH. Po atë ditë këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2008, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i. Kandidatët që çregjistrohen, do t’u kthehet dosja individuale, me dokumentet e paraqitura.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›