E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mifsud, “Leo Mesi i Maltës”: “Vë bast për barazim”



“Për mua, Majkëll Misfud mund të na shkaktojë më shumë probleme se Zlatan Ibrahimoviç”. Deklarata është e De Jong, asistentit të Ari Hanit, dhënë për mediat holandeze, por e mbërritur falë internetit deri në Shqipëri. Kur e dëgjon këtë me krahasim me gjigantin e Suedisë , “xhuxhi” Majkëll Misfud - është vetëm 164 cm- qesh. Për më tepër kur e di, që sulmuesi i Interit, jo vetëm që ka këmbët më të paguara në botë – vlejnë 11 milionë euro në vit – por është edhe një ndër sulmuesit më shtatlartë: 192 cm.
I rehatuar në një nga tavolinat në kopshtin e hotel “Rognerit”, sulmuesi i Konventri Sitit, Mifsud i konsideruar edhe si “Leo Mesi i Maltës” flet me modesti për futbollin e vendit të tij, por dhe për “çmendurinë” më të madhe që ka bërë: 5 gola në fitoren 7-1 kundër Lihteshtejnit. “As vetë nuk e besoj. Nuk kam fjetur fare atë natë”, - thotë sulmuesi shtatshkurtër 27-vjeçar, autor i 20 golave në 58 ndeshje më kombëtaren. Aventura “miqësore” e Maltës kundër Shqipërisë nis pikërisht më një fitore 2-1, në takimin parë të zhvilluar në vitin 1995. Përballjet vazhdojnë me 1-1 (1998), e më pas tri humbje rresht: 0-1 (2000), 0-3 (2000) dhe 0-3 (2007). “Vë bast se kësaj radhe dalim barazim”, -qesh Mifsud.

Majkëll Mifsud, le ta nisim nga futbolli i vendit tuaj. Shumë pak dimë në Shqipëri, edhe pse dy vendet janë ndeshur disa herë në nivel kombëtaresh e klubesh. Cili është niveli i futbollit maltez?
- Pa dyshim që nuk i është i madh sa futbolli i Anglisë, Gjermanisë, Francës, por le të them se konkurron me atë të vendit tuaj, të paktën në nivel klubesh jemi të përafërt. Ne kemi disa kufizime, kjo edhe për shkak të traditës jo të madhe që kemi, por në vitet e fundit, edhe ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën e të afrohemi më shumë.
Në Shqipëri kanë luajtur disa ekipe malteze, Sliema Uonderes (kundër Tiranës), Birkirkara (kundër Partizanit). Cili është niveli i kampionatit maltez?
- Është i një niveli të pranueshëm në raport më disa vite më parë. Gjithsesi, ne kemi kufizimet tona, pasi kemi vetëm një stadium. Ekipet kanë shumë lojtarë të huaj.
Ndeshja e së mërkurës për eliminatoret e Botërorit 2010 është përballja e gjashtë midis dy vendeve, por e para zyrtare. Bilanci i Maltës me Shqipërinë është negativ: 3 humbje, 1 barazim, 1 fitore. Çfarë rezultati parashikoni?
- Unë besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. Ne e dimë se Shqipëria ka një ekip më të fortë, por ndeshja fillon gjithmonë 0-0. Shpresoj se edhe mund të kemi një rezultat të mirë.
Në ndeshjen e fundit kundër Portugalisë, katër ditë më parë ju humbët me rezultatin e thellë 4-0. Në pjesën e parë ju arritët t’i rezistonit kundërshtarit, duke zhvilluar një lojë të pëlqyeshme sipas skauterit të dërguar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
- Po. Ishte një ndeshje tejet e vështirë për ne. Të luash kundër një prej ekipeve më të mira në botë, do të thotë të kesh më pak kontroll të topit, të kesh më pak hapësira për të ndërtuar diçka. 0-1 pjesa e parë ishte fantastike, por takimi ishte më të vërtetë e vështirë për t’i përballuar.
Shqipëria fitoi ndeshjen miqësore të vitit të kaluar (3-0)...
- Nuk mund të flas shumë për atë ndeshje, pasi unë nuk kam luajtur. Gjithsesi, ndeshja ime e parë ndërkombëtare lidhet me Shqipërinë.
A keni siguruar ndonjë informacion rreth futbollit të Shqipërisë?
- Sigurisht. Trajneri ynë çek ka siguruar videon e ndeshjes së fundit të Shqipërisë kundër Suedisë, ku kemi analizuar gjithçka. Shqipëria është një ekip shumë i mirë, por, më duket se kësaj radhe do ta bëjmë ne rolin e Shqipërisë.
Shqipëria ka një trajner holandez, Ari Hanin, i cili është shumë i aftë taktikisht...
- Edhe trajneri ynë çek Dushan Fitzel është takticien i madh. Është më i ri si juaji (45 vjeç) dhe është shumë i pasionuar pas futbollit dhe ka shumë njohuri. Ai ka qenë një mbrojtës i shkëlqyer.
Ekipi që ka ardhur në Tiranë është skuadra më e mirë malteze?
- Sipas gjykimit dhe eksperiencës sime po. Në morëm në eliminatoret e fundit (Euro 2008) pesë pikë. Kështu që unë vë bast për barazim. Gjithsesi, një fitore do të ishte e fantastike. Ne kemi disa lojtarë të mirë dhe atmosfera është shumë e mirë.
Konsideroheni nga media e vendit tuaj, si “Leo Mesi i Maltës” dhe si një nga lojtarët më të mirë të gjitha kohërave të futbollit modest maltez. Sa i përafërt është ky përcaktim?
- (Qesh). Të mos e teprojmë. Unë jam vetëm Majkëll e askush tjetër. Unë përpiqem të bëj më të mirën time. Duhet të mësoj çdo ditë e të përsos aftësitë e mia. Ju e dini se gazetarët i kanë qejf krahasimet. Duhet të ketë edhe në vendin tuaj një “Leo Mesi i Shqipërisë”, Kam parë një në ndeshjen kundër Suedisë.
Jeni shumë i famshëm në Maltë, për ato që keni bërë në ndeshjet ndërkombëtare.
-Kundër Turqisë ne arritëm një barazim fantastik 2-2. Të gjithë e konsiderojmë si një nga ndeshjet më të mëdha tona. Ishte një ndeshje shumë e mirë kundër një prej ekipeve të rëndësishme në Europë, e për më tepër ndaj një vendi që është shumë herë më i madh se Malta.
Gjithmonë e kemi parë Maltën të pësojë shumë gola nga ekipet e mëdha, por duket se më të voglat nuk i falni. Kam parasysh fitoren 7-1 me Lihteshtejnin.
- Mbetet ndeshja jonë më e mirë, për më tepër që në atë takim unë vendosa edhe një rekord personal: shënova pesë nga shtatë golat. As vetë tani nuk e besoj. S’kam fjetur fare atë mbrëmje. E shoh shpesh atë takim. Ishte vërtet një ndeshje e madhe. Gjithsesi ndeshja më e madhe mbetet ajo kundër Hungarisë, kur fituam 2-1 (2006).
Jeni autor i dy golave që sollën edhe eliminimin e një gjiganti si Mançester Junaitid nga Kupa e Anglisë (0-2,. Si i përjetuat ato momente?
- Si një ëndërr e shndërruar në realitet. Kurrë s’kam për ta besuar që i kam eliminuar. Por ja që ndodh ndonjëherë, që edhe të mëdhenjtë humbasin.
Ju keni një eksperiencë të gjatë ndërkombëtare. Keni luajtur në Gjermani me Kaiserslautern, në Norvegji me Lilstrom së fundi në Angli me Konventrin. Sa ju ka vlejtur kjo?
- Ekziston një ndryshim i madh në kulturën e futbollit. Më është dashur shumë punë të përshtatem. Kam mësuar shumë. Stërvitje krejt të ndryshme nga ato në Maltë. Flitet për futboll profesionist.

Tetë lojtarë profesionistë

Në listën e lojtarëve maltezë kundër Shqipërisë, vetëm tetë prej tyre janë profesionistë e luajnë në Europë. “Të tjerët luajnë për qejf. Janë bankierë, njerëz të biznesit”,- shton Mark Muskat, shefi i shtypit pranë Federatës Malteze të Futbollit, i pranishëm në intervistë. Muskat ka luajtur në futbollin në sallë, madje kujton edhe gjyqtarin ndërkombëtar shqiptar Gjergji Bitri. “Më ka dhënë karton të kuq”, -qesh ai.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›