Vajzat e Presidentit Obama ftohen të aktrojnë në një serial
Dy vajzat e Presidentit Obama kohët e fundit janë ftuar për të qenë pjesë e një seriali televiziv në Uashington. “Hannah Montana” titullohet seriali i njohur për fëmijët në Amerikë, ku do të marrin pjesë dy vajzat e presidentit Barak Obama, Malia 10-vjeçare dhe Sasha 7-vjeçare. Seritë e reja të një prej filmave më të ndjekur për fëmijë në SHBA pritet të dalin në muajin prill të 2009-s, ndërkohë që nuk jepen hollësi të mëtejshme lidhur me marrjen pjesë të vajzave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë film. Sa i takon serialit, subjekti bën fjalë për një vajzë shkolle, e cila ka një jetë sekrete si popstar. Në të kaluarën, Presidenti Obama ka deklaruar për mediat se vajza e tij Malia është fanse e këtij seriali për fëmijë, megjithatë nuk dihet ende asgjë nëse Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve do ta lejojë apo jo të bijën 10-vjeçare që t’i hyjë rrugës së aktrimit dhe kinemasë.
Vonohet premiera e filmit “Shkaba”
Filmi i metrazhit të gjatë "Shkaba" është menduar se do të ishte prodhimi kinematografik që do të thyente heshtjen thuajse trevjeçare të kinematografisë kosovare, por tashmë është paralajmëruar se premiera e tij do të vonohet edhe pak kohë, deri në marsin e ardhshëm. Filmi, i bazuar në novelën e Ismail Kadaresë “Shkaba”, po xhirohet nën drejtimin e regjisorit Ylli Çitaku. Ai është shprehur për mediat: “Edhe dy fundjava do të kemi xhirime dhe këto do të jenë të fundit. Pas dy javësh fillon montazhi i filmit. Pastaj duhet të përpunohet zëri e muzika. Nuk ka shanse që premiera të jetë para muajit mars të vitit të ardhshëm”.
14 Nentor 2008