E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një rrëfim i shkurtër dhe “Nëntor 11”



“Dhe vërtet, ç'është arti për mua përveçse një mjet për të kërkuar jetë brenda jetës?” Kjo pyetje, pjesë e një letre të shkruar nga gjeniu paraprijës i modernitetit El Greko, megjithëse daton gati 400 vjet më parë, ngelet po aq aktuale edhe sot. Dhe vërtet, a nuk është ky kërkim misteri që na mban frymën pezull e nuk mbaron, misteri që na ngre shpirtin peshë, kur enigma e re zbulohet e kthehet në festë për sytë e mendjen tonë. Ky çast i mundimshëm për të kërkuar jetën brenda jetës troket e përthyhet në shpirtin e çdo artisti si drita mbi një prizëm diamanti. Dihet çfarë ndodh më pas. Para nesh shfaqen me dhjetëra nuanca, forma e ide, të reja ose jo, të papritura, por edhe të njohura. Ky është një udhëtim i pafund e plot rreziqe, por askush, brenda apo jashtë komunitetit, nuk mund të japë urdhra e të tregojë rrugën apo të thotë se po lodhemi kot. Gjithkush ka të drejtë të gabojë e të vazhdojë udhëtimin e tij përsa kohë ai e sheh të arsyeshme, përsa kohë shpirti i tij nuk ka gjetur limanin e ëndërruar.
Ndodhi dikur, kur dikush apo disa donin ta drejtonin vetë udhëtimin. Shumë shpirtra u lënduan, shumë shtrënguan dhëmbët dhe vazhduan, por, për çudi, edhe atëhere kur s'pritej e po shijonim lirinë e shumëpritur disa nxituan të ndërtojnë përsëri gardhe me shkopinjtë e kalbur të magazinave të vjetra patetike. Nga ky moment mori shtysën për të filluar aktivitetin e tij edhe “Nëntori“ si institucion ekspozues i pikturës shqiptare, si sot 11 vjet më parë, në një nga sallat e Muzeut Historik.
Ne nuk dolëm me idenë se kemi të drejtë e të tjerët gabojnë, ne thjesht thamë se rruga duhet të jetë e hapur për të gjithë, kurse gabimet, dobësitë, mediokritetet, gjithçka e pavlerë që ndodhet kudo, në çdo komunitet artistësh, vetë koha do t’i lërë mënjanë edhe nëse këto kalojnë filtrin e shpuar të mendimit kritik. Në këtë det të trazuar social-shpirtëror lundron edhe anija me emrin “Nëntor“. Ia ka dalë mbanë pa u mbytur, por s'kanë munguar as problemet, vështirësitë apo kapriçot e udhëtarëve të saj. Kjo ekspozitë nuk mund të shërojë e vetme të gjitha plagët e artit të marra gjatë diktaturës e sot në vazhdim. “Nëntor“ është thjesht një mundësi më shumë për çdo artist pjesëmarrës që të shpalosë artin e tij. Në Edicionin XI të këtij viti janë ftuar të ekspozojnë me ne edhe krijues nga fusha e skulpturës. Shpresoj që kjo të vlejë sado pak për ringjalljen e solidaritetit ekspozues të kësaj gjinie gati të harruar në ekspozitat e artit tonë viziv.
Stefan Taçi (STEFOS)

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›