Han fton te Shqipëria zbulimin e Bundesligës
Koha e festimit të barazimit në Portugali ka marrë fund për Ari Hanin, i cili duket se ka nisur menjëherë nga puna, me synimin për të servirur fytyra të reja në përfaqësuese për vitin 2009. Në majën e listës së teknikut holandez qëndron talenti i gjermanëve të Borusias së Dortmundit, Bajram Sadriaj. Pikërisht, në numrin e djeshëm të revistës sportive më të madhe në Evropë, “Sport Bild” shkruhej se ky lojtar do të marrë nënshtetësinë shqiptare. Vetë futbollisti i Dortmundit, i cili këtë sezon hyri në librin e rekordeve “Guinness” me kartonin e kuq më të shpejtë në botë, ka pohuar interesimin e Hanit, për revistën gjermane: “Kërkesa e trajnerit të kombëtares shqiptare është një nder i madh për mua, prandaj kam vendosur të kërkoj pasaportën e Shqipërisë”. Sadriaj, i cili luan në rolin e mesfushorit, u zbulua para një viti në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, TSG Thanhausen-Borusia 0-3. Edhe pas një periudhe riaftësimi prej 9 muajsh, për shkak një dëmtim të rëndë, Borusia e Dortmundit vazhdoi të ngulmojë për ta pasur në kontingjentin e lojtarëve të ekipit të parë. Kështu, Sadriaj është duke shpërthyer në rradhët e gjigandëve nga Dortmundi. Lojtari i brishtë në moshë (vetëm 19 vjeç), por tepër energjik në fushë, është duke fituar gradualisht hapësirë. Ai u aktivizua me sukses edhe në ndeshjen e Kupës UEFA të përpara disa javëve, kur Borusia e Dortmundit fitoi 2-0 ndaj Udinezes në Itali, gjithsesi pa arritur të kualifikohet. Ndër të tjera, sipas asaj që bëhet e ditur nga mediat gjermane, në moshën 18-vjeçare, Sadrijaj ka pasur një ftesë nga kombëtarja U-18 e Gjermanisë. Mirëpo, për shkak se nuk zotëronte nënshtetësinë gjermane, ai s’arriti të konkretizonte këtë shans. Tani që i jepet rasti të luajë për përfaqësuesen shqiptare, nuk dëshiron ta “hedhë në erë”. Jo vetëm Sadriaj. Edhe disa futbollistë të tjerë, të cilët mund të ishin shumë të vlefshëm për përfaqësuesen shqiptare, janë duke u afirmuar në kampionatet më të forta evropiane. Kështu, me paraqitjet e tij të shkëlqyera në kategorinë e dytë gjermane, Valdet Rama është bërë i padiskutueshëm në krahun e majtë të Ingolshtadit. Në 6 ndeshje të luajtura, anësori shqiptar ka shënuar një gol dhe ka shërbyer për dy të tjerë. Duke parë mungesën e konkurrencës në të majtë të mesfushës që prej largimit të Altin Haxhit, Rama mund të sillte mjaft freski në këtë pozicion.