E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-punonjësi grabit agjencinë

 

FIER - Pas shkrumbimit të 9 autobusëve, pronari i parkut, Arjan Hyka goditet sërish nga keqbërës në një tjetër biznes të tij. Agjencia turistike “Arjani Travel” në lagjen Apolonia në Fier është gdhirë dje e grabitur. Sipas policisë, dryni i derës ishte prerë, ndërkohë, grabitësit kanë hapur kasafortën duke marrë që andej 1 milion lekë të reja dhe 2 mijë euro. Pronari, Arjan Hyka, sinjalizoi policinë sapo konstatoi se biznesi i tij ishte sulmuar. Në momentin kur në agjenci mbërriti pronari i saj, dera ka qenë e hapur. Dryni i saj ishte prerë, ndërkohë që nga kasaforta mungonte sasia e mësipërme e parave. Policia hodhi dyshimet te Florian Frashëri për këtë vjedhje. Kjo për faktin se ai kishte vetëm një muaj që kishte ikur nga puna. Ndërkohë kasaforta me dy çelësa nuk ishte hapur dhunshëm. Disa minuta më pas, blutë arrestuan 22-vjeçarin bashkë me mikun e tij Donald Dyrmishaj, të cilët pranuan autorësinë e vjedhjes.   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›