Parlamenti miratoi Deklaratën e Mijëvjeçarit
Parlamenti i Kosovës ka miratuar dje rezolutën përmes së cilës Kosova merr përsipër zbatimin e Objektivave të Deklaratës së Mijëvjeçarit, të miratuar nga OKB-ja në vitin 2000. Në një seancë solemne të Kuvendit, krerët e institucioneve në Prishtinë thanë se miratimi i saj ndihmon zhvillimin ekonomik e social si dhe procesin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Kështu Kosova iu bashkëngjit përpjekjeve për reduktimin e varfërisë, sëmundjeve ngjitëse, garantimin e edukimit fillor për të gjithë. Kreu i Parlamentit, Jakup Krasniqi, tha se objektivat e Deklaratës i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe axhendës evropiane për Kosovën. Ndërsa Presidenti Fatmir Sejdiu tha se strategjia e zhvillimit të Kosovës duhet të reflektojë parimet kryesore të parapara me deklaratën e mijëvjeçarit, si zhdukjen e varfërisë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se deklarata është në përputhje me vizionin e së ardhmes për Kosovën. Rreth 190 shtete, përfshirë Kosovën, e kanë pranuar Deklaratën.