Pranga efektivit të kufirit, vodhi makinën e sekuestruar
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Pas një muaji hetim, SHKB-ja prangosi mbrëmë një efektiv të policisë kufitare të portit të Radhimës. Pajtim Shpata u arrestua në banesën e tij në Vlorë, pasi kolegët e tij e kishin denoncuar atë për shpërdorim të detyrës. Sipas policisë, Shpata dyshohet të ketë vjedhur një makinë të sekuestruar. Mësohet se 44-vjeçari punonte në rajonin e policisë kufitare, me shërbim në portin e Radhimës, në sektorin e mjeteve të lundrimit si dhe të mjeteve të bllokuara. Efektivët e tjerë të këtij sektori kishin sinjalizuar SHKB-në për një automjet të zhdukur, të cilin Pajtim Shpata e kishte në ruajtje në bazën ku ushtronte detyrën. Sipas policisë së Vlorës, makina rezultoi e zhdukur në momentin kur ai kishte lënë turnin. Ndërkohë që do të bënte dorëzimet përkatëse në bazë edhe të procedurës së brendshme të repartit ku punonte, një nga makinat e bllokuara për mungesë dokumentacioni mungonte. Dyshimet ranë pikërisht mbi efektivin, Shpata, i cili u denoncua nga kolegët e tij. Pasi mori sinjalizimin për makinën e zhdukur, SHKB-ja nisi hetimet. Sipas burimeve, efektivi i portit të Radhimës është mbajtur në hetim prej gati një muaji me të gjitha mjetet e mundshme ligjore, përfshirë edhe përgjimin. Prangosja e tij është realizuar vetëm kur SHKB-ja mundi të vërtetojë përfshirjen e 44-vjeçarit në zhdukjen e mjetit. Ata ndërhynë mbrëmjen e djeshme, duke i vënë prangat në banesën e tij. Policia e Vlorës ka në dispozicion të saj katër baza për mjetet që bllokohen dhe sekuestrohen për mungesë dokumentacioni, apo ato të vjedhura. Njëra prej tyre ishte edhe ajo e portit të Radhimës. Mësohet se në këtë bazë ndodhen rreth 200 mjete të sekuestruara. Në këtë port ndodhen edhe tre gomone që janë në dispozicion të shërbimit kufitar. Gjithashtu, janë edhe rreth 10 gomone të sekuestruara, njëra prej të cilave edhe ajo e kapur pak ditë më parë në brigjet e Karaburunit.