Mal i Zi, “blindohet” qeveria pas njohjes së pavarësisë
Siguria rreth Kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, është rritur në maksimum që pas njohjes së pavarësisë së Kosovës javën e kaluar. Sipas gazetës së përditshme malazeze “Vijesti”, e cila citon burime anonime të afërta me kryeministrin dhe departamentin qendror të policisë, siguria rreth Gjukanoviç dhe familjes së tij është rritur ndjeshëm pas kërcënimeve të mundshme për jetën e tij. “Policia deri tani nuk ka të dhëna operative që mund të tregojnë ndonjë të dyshuar konkret, por siguria rreth kryeministrit është rritur në shkallën maksimale”, tha burimi anonim. Sipas mediave elektronike në Podgoricë, ndryshe nga praktikat e zakonshme, edhe pjesa më madhe e ministrave ka qenë nën vëzhgimin e plotë të policisë, që pas njohjes së pavarësisë. Presidenti i këtij vendi, Filip Vujanoviç, i ka akuzuar serbët se po sillen sikur Mali i Zi të ishte ende pjesë e Serbisë. Pas protestave të dhunshme të rreth 10 mijë njerëzve kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës të dy ditëve më parë në Podgoricë, nga ku u arrestuan dhjetëra njerëz dhe u plagosën 34, tashmë në kryeqytetin malazez ka nisur protesta me grevë urie. Demonstruesit po i bëjnë presion qeverisë dhe presidentit që të anulojnë pavarësinë e Kosovës brenda 48 orëve, ose të pranojnë mbajtjen e një referendumi mbi çështjen e pavarësisë. Autoritete serbe kanë reaguar mjaft hidhur mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, i cili u shkëput nga unioni me Serbinë disa muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, e ka konsideruar thikë pas shpine njohjen e Kosovës nga malazezët. Ndërkohë partitë e opozitës në Malin e Zi sot do të njoftojnë mbledhjen e firmave nga njerëzit që mbështesin mbajtjen e një referendumi, për të treguar nëse e mbështesin qëndrimin e Kosovës brenda Serbisë. Ata kanë mbledhur deri tani 123.407 firma të njerëzve që mbështesin qëndrimin e Kosovës brenda kufijve serbë, shkruan gazeta malazeze “Vijesti”. Në këtë mënyrë partitë e opozitës shpresojnë të detyrojnë politikanët qeverisës që të mbajnë një referendum, që njerëzit të votojnë pro apo kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Lavrov takon Milloshoskin
Pas njohjes së pavarësisë nga Shkupi, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar me homologun e tij maqedonas, Antonio Milloshoski për të diskutuar mbi situatën në Ballkan në kontekst të njohjes së Kosovës. Rusia nuk e ka pranuar dhe ka deklaruar se do të pengojë me çdo mjet diplomatik njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e OKB-së, në mbrojtje të “së drejtës së Serbisë”, aleates së saj shekullore. Me gjithë fitoren e properëndimorëve në Serbi, Rusia nuk ka hequr dorë nga politika e saj në këtë vend. Ministria ruse njoftoi se takimi u zhvillua në prag të samitit ministror në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. Sipas ministrive përkatëse, palët “konfirmuan qëllimet e përbashkëta për të vazhduar dialogun politik dhe bashkëpunimin ekonomik, kryesisht në sferën energjetike”. Më 9 tetor Maqedonia dhe Mali i Zi njohin pavarësinë e Kosovës dhe vendosën të lidhin marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Nga takimi nuk u njoftua mbi asnjë detaj nga diskutimi për Kosovën.